Myftiu priti një delegacion nga Mbretëria e Bahrejnit

Paraditën e së martës, më 16 prill 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt z. Halid Muhammed Ali, Kryetar i Këshillit drejtues të Komisionit për Veprat e Bamirësisë në Mbretërinë e Bahrejnit, që shoqërohej nga Shejkh Nebil Muhammed Salih, Drejtor i sektorit të Ballkanit.

Gjatë takimit të përzemërt, Myftiu falënderoi vizitorët për kontributet e vyera të dhëna në Shqipëri dhe veçanërisht në Shkodër, ku përmendet ndërtimi i xhamisë së re në fshatin Kuç, qendra kulturore islame në Postribë, etj., që janë pjesë e rëndësishme e gjallërimit të aktivitetit islam në Shkodër.

Myftiu theksoi se, sfidat e shumta me të cilat përballen muslimanët sot, janë një shtysë akoma më e madhe për ta shtuar bashkëpunimin dhe ndërveprimin në mesin e institucioneve islame kudo në botë, për të përhapur vlerat dhe dritën e Thirrjes Islame, si mënyra më e mirë për ta paraqitur këtë fé të begatë islame në origjinalitetin e saj.

Myftiu tha se, duhen vlerësuar kontributet e vëllezërve nga Mbretëria e Bahrejnit, për gjallërimim e aktivitetit fetar e kulturor në rrafsh botëror, si dhe kontributet bamirëse edhe në vendin tonë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm në fusha me interes të përbashkët.

Delegacioni nga Mbretëria e Bahrejnit shoqërohej edhe nga z. Korab Kaja, drejtor i Fondacionit “Mirësia”.