Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, inspektoi ditën e enjte, më 19 prill 2019, punimet përfundimtare në prag të përurimit të xhamisë së re në Oblikë, si dhe qendrës kulturore bri saj.
Fillimisht, ai pa nga afër edhe pastrimin e një pjese të vakëfit të xhamisë, që u lirua këto ditë, falë bashkëpunimit me banorët vendas.
Myftiu tha se veprimi i këtyre burrave, jo vetëm që i nderon në mesin e krejt banorëve të Anës së Malit, por i bën shembull të mirë për krejt ata qytetarë, që kanë zaptuar në një mënyrë a një tjetër, vakëfet e muslimanëve!
Myftiu, i shoqëruar edhe nga stafi i tij, kreu edhe faljen e mesditës së parë në xhaminë e re, të shtruar para dy ditësh.
Pas një inspektimi të punimeve, ai shprehu kënaqësinë e tij për këtë arritje të madhe për muslimanët e Oblikës dhe krejt Anës së Malit, sikurse tha se, dita e përurimit të xhamisë dhe qendrës së saj do të jetë një bajram i shumëpritur për krejt besimtarët.