Aktivitet rajonal mbi vlerat e harmonisë ndërfetare

Ditën e diel, më 12 maj 2019, në hotelin Mediteran në Ulqin, Instituti IDEA në bashkëpunim me komunën e Ulqinit realizoi konferencën me titull: “Ta ruajmë harmoninë ndërfetare”, ku mblodhi figura të ndryshme të jetës politike, deputetë, përfaqësues të pushtetit lokal dhe të institutcioneve tjera në vend, prijësa fetarë, si dhe të shoqërisë civile.

Të ftuarit në panel ishin prijësit e tri komuniteteve fetare të Shkodrës, të cilët referuan mbi vlerat dhe rëndësinë e harmonisë në mesin e besimeve dhe besimtarëve, si dhe rëndësinë e saj për shoqëritë njerëzore.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe sektetari i këshillit të Myftinisë Shkodër, H. Fejzi Zaganjori, si dhe teologu Lavdrim Hamja, i cili lexoi edhe referatin e Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari.

Sipas lajmit të publikuar nga organizatori: “Tubimi kishte për qëllim temën e ruajtjës së harmonisë fetare si vlerë e cila duhet kultivuar me kujdes sidomos në këto kohë të trazirave globale.

Herën e kaluar të konferencës sonë ishin të ftuar prijësat e bashkësive fetare të komunës së Ulqinit, ndërsa kësaj radhë bordi drejtues i Institutit IDEA, përzgjodhi që të ftuarit të ishin prijësat e tri bashkësive fetare të Shkodrës, duke na ofruar mesazhet e tyre të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare të Shkodrës, si djepi i kësaj harmonie.

Në emër të Komunës së Ulqinit, fjalën përshëndetëse e mbajti nënkryetarja e komunës së Ulqinit, Hadixha Gjoni. Gjithashtu organizimin e tubimit e përshëndetën edhe pjesmarrësit tjerë.

Pas konferencës u shtrua Sofra e Iftarit, “Sofra e Harmonisë Ndërfetare” në restorantin IDEA në Ulqin. Sofra e iftarit u përcoll me mesazhe pozitive nga tre komunitetet e lartpërmendura.

Këtë aktivitet e përcollën mediat lokale si dhe ato nga rajoni, si: RTK e Kosovës si dhe Zëri i Amerikës.”