Ditën e diel, më 12 maj 2019, qytetin e Shkodrës e vizitoi një mik i veçantë. Në atmosferën e Muajit të begatë të Ramazanit 1440, besimtarët muslimanë patën mundësi të falen pas imamit të ardhur nga Meka e bekuar, Dr. Fejsal El-Amri.
Miku nga vendet e shenjta u prit fillimisht nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, që e njohu atë me qytetin e Shkodrës dhe disa prej zonave të spikatura të tij, si: Xhamia e Plumbit, kalaja e lashtë e qytetit, lagjja e Tabakut, etj.
Më pas, gjatë iftarit që Myftiu shtroi për nder të imamit të nderuar nga Meka, i dëshiroi atij qëndrim të këndshëm në Shkodër, si dhe diskutoi me të mbi etapat e përhapjes së fesë islame në Shkodër dhe realitetin e sotëm, me të cilin përballet Thirrja Islame.
Një moment i veçantë i kësaj vizite ishte edhe mbërritja në xhaminë e Parrucës, ku besimtarë të shumtë ishin mbledhur për të falur namazin e teravisë dhe për të dëgjuar imamin mik.
Pas faljes së namazit të jacisë, Myftiu lajmëroi xhematin se sonte na ka ardhur Meka dhe Medina në Shkodër, duke ftuar xhematin për të shijuar faljen pas imamit mga vendet e shenjta.
Në ligjëratën e mbajtur pra besimtarëve, Dr. Fejsal El-Amri, ftoi besimtarët të shfrytëzojnë muajin e Ramazanit për të mbërritur në gradën e lartë të përkushtimit me zemër.
Ai nxiti të pranishmit drejt moralit dhe virtyteve më të larta, që e karakterizojnë muslimanin, sikurse porositi edhe motrat muslimane për të vlerësuar këtë muaj dhe për të forcuar lidhjen me besimin dhe moralin e fesë.
Më pas, nën drejtimin e tij, besimtarët falën 20 rekatet e teravisë, duke përjetuar një kënaqësi të madhe, si të ishin në xhamitë e shenjta të Mekës dhe Medines.
Pas përshëndetjes me besimtarët e shumtë, imami i nderuar bashkëbisedoi edhe me imamët dhe teologët e pranishëm në këtë mbrëmje të paharruar në xhaminë e Parrucës.