Myftiu priti Kryetarin e Shoqatës “RIDA”, nga Konja e Turqisë

Paraditen e së martës, më 20 tetor 2015, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim prezantimi, një përfaqësi të Shoqatës "RIDA", me qendër në Konja të Turqisë, nën drejtimin e Kryetarit të saj, z. Tamer Kalender. Gjatë takimit të përzemërt, Myftiu uroi mirëseardhjen e vëllezërve nga Konja, duke theksuar se në Shkodër, ju nuk jeni miq, por vëllezër, sikurse ne, sa herë që vijmë në Turqi, vijmë në tokën tonë, pasi shekujt e kalifatit osman, ishin dëshmi historike sesi shqiptarët e turqit (por edhe shumë kombësi të tjera), ishim një mishërim i një kalifati, ndër më të qytetëruarit e shekujve të historisë islame. Nga ana e tij, z. Kalender, e informoi Myftiun për aktivitetin e zgjeruar të kësaj shoqate në shumë vende të botës, sidomos në fushën e arsimit dhe përkujdesjes për jetimët. Ai tha se "RIDA" ka dëshirë të ketë aktivitetin e vet edhe në Shkodër, dëshirë për të cilën mori edhe miratimin dhe vullnetin e mirë të bashkëpunimit edhe nga Myftiu i Shkodrës. Gjatë kësaj pritje, Myftiu dha edhe një intervistë të zgjeruar për Tv Konya, ku iu përgjigj pyetjeve të shumta të gazetarit në lidhje me aktivitetin e Myftinisë Shkodër, sfidat, pengesat, të ardhmen. Gjatë kësaj interviste, Myftiu theksoi se stabiliteti dhe ecuria e Turqisë, është në vetvete stabilitet dhe përparim për krejt ymmetin islam. Për këtë, ai u lut që Zoti ta ruajë Turqinë nga sfidat, me të cilat po përballet mbarë ymmeti islam, sidomos në zonat e nxehta të Lindjes së Mesme. Delegacioni i Shoqatës "RIDA", shoqërohej edhe nga Kryetari i Shoqatës "Ihja", z. Jetmir Braqi.