E xhumaja e fundit e këtij muaji, më 25 dhjetor 2015, bashkoi në atmosferën e saj përkujtimin e dy burrave më të mëdhenj të historisë së njerëzimit, Hz. Muhammedit (a.s) dhe Hz. Isait (a.s).
Këto ditë në Shkodër, njerëzit urohen me rastin e Mevludit Sherifë dhe Krishtlindjes, që këtë vit u afruan si asnjëherë më parë, duke përhapur në heshtjen e tyre mesazhin e bukur të respektimit të besimit dhe fesë, si dhe lartësimin e të dërguarve të Zotit, si bekim nga Zoti për njerëzinë.
Me rastin e Krishtlindjes, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar edhe nga teologu Arben Halluni dhe imami Lavdrim Hamja, zhvilloi vizitën tradicionale në dy kishat e qytetit.
Fillimisht në Kishën Ortodokse dhe më pas në Kishën Katolike, ku uroi me rastin e festës. Gjatë këtyre vizitave, Myftiu vuri theksin te nevoja e madhe e përhapjes së frymës së respektimit të besimit dhe fesë, si dhe afrimit të njerëzve me vlerat më të larta të kthimit nga Zoti dhe mëshira e Tij.
Gjatë qëndrimit në Kishën Ortodokse, Myftiu shprehu falënderimet e tij për dhuratën e bukur dhe kuptimplote, që patriarku i Kudsit Sherifë, Theofili i III- të i bëri kryeministrit të Shqipërisë; fermanin e Hz. Omerit (r.a), ku 14 shekuj më parë Islami deklaroi respektimin e të drejtave të krishterëve për të jetuar në harmoni me muslimanët, si dhe për të gëzuar të drejtat e tyre në lirinë e besimit dhe praktikës fetare.
Myftiu theksoi se harmonia ndërfetare është themel i qytetërimeve, si dhe një domosdoshmëri që garanton paqen sociale dhe respektin e njeriut për vëllanë e tij njeri.Ai i ndau këto mesazhe me Famullitarin e Kishës Ortodokse, At Nikolla Petani dhe me Arqipeshkvin Shkodër-Pult, mons. Angjelo Massafra, me të cilët këmbeu edhe urimet e kësaj dite të shënuar.