Nisi trajnimi i haxhilerëve të Shkodrës për vitin 1440

Sipas programit të lajmëruar nga Myftinia Shkodër, ditën e hënë, më 22 korrik 2019, në xhaminë e Parrucës nisi trajnimi i haxhilerëve shkodranë për vitin 1440 h.

Në ligjëratën e mbajtur nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, u vu theksi te madhështia e adhurimit të Haxhit, si një mundësi për të ndryshuar jetën, në rrugëtimet e besimtarit për të fituar mëshirën dhe kënaqësinë e All-llahut në jetë.

Myftiu trajtoi edhe këshillën e H. Vehbi Dibrës, drejtuar haxhilerëve të vitit 1934, ku shpjegoi se nëpërmjet fjalëve të tij, kuptohet qartë madhështia e fesë dhe natyrshmërisë së marrëdhënies së besimtarit musliman me jetën dhe gjithësinë.

Pas një pushimi të shkurtër, nisi edhe ora e trajnimit teorik, ku teologu Ruzhdi Plangaj, shpjegoi për të pranishmit rregullat kryesore ihramit dhe ndalesat e tij, si dhe mënyrën e kryerjes së Umres, që i paraprin Haxhit.

Trajnimi i haxhilerëve shkodranë vijon edhe gjatë ditëve të kvsaj jave, sipas një programi të përgatitur me qëllimin e mirë që të regjistruarit e këtij viti të kenë mundësi të hyjnë në atmosferën e këtij adhurimi të mrekullueshëm.