Për H. Fejzi Zaganjorin, në një ditë Mirënjohjeje…

“Po për ushqimin shpirtëror, a mendojnë njerëzit?
A duhet ta lëmë shpirtin të vdesë?”
[1]

Ceremonia e ditës së sotme, ka një domethënie të veçantë për kohën: ditë e xhuma; për vendin: parlamenti i Shkodrës; dhe personin që na mblodhi në këtë event: i nderuari miku i krejtve, Haxhi Fejzi Zaganjori, veprimtari i zellshëm i Myftinisë Shkodër, njeriu i pajtimit, i paqes, i harmonisë, i vlerave qytetare, i mirësisë së besimit, por jo vetëm!

Në fakt, e kam pasur të vështirë të ulem e të rreshtoj këto fjalë, për disa arsye që lidhen me personin, për të cilin jemi tubuar së bashku në këtë sallë. Nuk është tamam e lehtë të flasësh për Haxhi Fejzi Zaganjorin dhe aktivitetin e tij të larmishëm.

Kemi të bëjmë me një veprimtar shoqëror shumë aktiv, në disa periudha të dekadave të fundit, sidomos nga viti 1990 e deri më sot.

Është pa dyshim njeriu i besuar dhe krahu i djathtë i Myftiut të Shkodrës Haxhi Faik Hoxha (1930-2011), aktivist për pajtimin kombëtar, pjesëmarrës në dhjetëra e qindra përpjekje për pajtimin e gjakut në zonat e veriut, por jo vetëm!

Është imam e vaiz, organizator i emisioneve fetare radiofonike në Radio “Shkodra”, pjesëmarrës në seminare e konferenca, simpoziume e përkujtimore të shumta lokale e kombëtare gjatë kësaj periudhe.

Po të shfletosh revistën “Drita Islame”, “Udha Islame”, por edhe përtej tyre, do të gjesh thuajse për çdo numër të tyre një shkrim, një kronikë, një vështrim a analizë nga Ing. Fejzi Zaganjori, që me zell të madh dhe përkushtim të spikatur, u angazhua për të mësuar e studiuar njohuritë themelore të besimit dhe fesë islame, për t’i ardhur në ndihmë Myftinisë Shkodër në momentet e saj më të vështira, sidomos pas rimëkëmbjes së dëshmuar të 16 nëntorit 1990.

Edhe në periudhën e myftilerëve të Shkodrës, Imam Ndriçim Sulejmani, Ermal Nurja dhe deri më sot, atë do ta gjesh përherë si: imam, veprimtar të papërtueshëm, vaiz, kronikan, pajtimtar, zv/Myfti, sekretar i Këshillit të Myftinisë, por jo vetëm.

E gjithë kjo, dëshmon për dimensionet e personalitetit të tij dhe angazhimin e madh për të përhapur kudo vlerat qytetare, mirësinë e besimit, traditat e tabanit, frymën e harmonisë ndërfetare, atë të pajtimit kombëtar, si dhe përpjekjen e madhe për të thirrur drejt dashnisë së Zotit në jetë, tamam siç i drejtohet rinisë, me fjalët e tij: “Drejtohuni rrugës që urdhëron Allahu (xh.sh.) dhe Profeti Muhamed (a.s.), sepse aty është e vërteta, mirësia dhe çdo gjë e mirë.”[2]

Diku tjetër tërheq vëmendjen: “Njeriu, krahas të drejtave që ka, të cilat ia ka dhuruar Allahu (xh.sh.) ka edhe shumë detyrime që gjatë jetës duhet t’i plotësojë e t’i zbatojë. Pa dyshim më kryesori është besimi, adhurimi dhe lutjet që duhet t’i bëjmë Allahut të Madhëruar. Për të realizuar këtë duhet të mësojmë dhe të bëhemi të aftë që të kryejmë këtë detyrë…”.[3]

Për vite të tëra, ai ka mbajtur mbi supe peshën e rëndë të përhapjes së fenomenit të vëllavrasjes, gjakmarrjes e përhapjes së anarshisë, njësoj sikurse sot, që e gjejmë më aktiv se asnjëherë, në thirrjet e tij, thuajse të përditshme; herë nga minberi e herë nëpërmjet rrjeteve sociale, thirrje që ftojnë për pendim e paqtim me Zotin, për përmirësimin e cilësisë së jetës në këtë vend të bekuar nga Zoti e të keqqeverisur nga robi!

Do të sjell në vëmendjen tuaj një paragraf nga një punim i tij në lidhje me aktivitetin e Myftinisë Shkodër për pajtimin kombëtar dhe faljen e gjakut. Shkruan: “Një ndër të drejtat më themelore të njeriut, që ia ka dhuruar Allahu (xh.sh.) është e drejta mbi jetën. Por, në këto kohë të fundit në përmasa të vogla apo të mëdha po përjetojmë ngjarje tragjike, ku vetëvrasjet, hakmarrjet dhe vrasjet po marrin jetën e të rinjve tanë.”.[4]

Dhe, kontributin e tij të spikatur në këtë frymë, ai e ka dhënë në vitet e vështira të përhapjes së anarshisë dhe vëllavrasjes ndër shqiptarë, ku së bashku me drejtuesit e nderuar të komuniteteve fetare, drejtues të qytetit, intelektualë, qytetarë e besimtarë, nuk ndaloi një herë së punuari për pajtimin e paqen, për vëllazërinë kombëtare e harmoninë komunitare.

Nuk dyshim se, aktiviteti i zotnisë së tij, nga momenti i parë i angazhimit në Myftininë Shkodër e deri më sot, mund të përmblidhet në pak fjalë, që ai vetë i ka shkruar para shumë vitesh, kur thotë: “Ne duke njohur dhe adhuruar Allahun (xh.sh.), do të kemi mundësi që të vishemi me atributet e Tij sublime, si mëshirues, i dashur, bamirës, falës, etj. dhe njëherit jeta do të funksiononte në paqë e pa të këqia. Lumturia do të arrihet nëpërmjet ushtrimit të ligjeve morale dhe të drejtave që ka çdo individ. Dëshira për të pushtuar kështjellën e lumturisë nëpërmjet kënaqësive materiale, duke iu shmangur detyrave shpirtërore, duke u zhveshur nga bota e brendshme, do të përfundonte në një zhgënjim të plotë. Qëllimi i jetës së njeriut duhet të jetë dhe është të çelurit e dritës së zemrës ndaj Allahut (xh.s.).”.[5]

Të dashur të pranishëm,

Në emër të Myftinisë Shkodër, falënderoj përzemërsisht Këshillin e Bashkisë Shkodër, Kryetarin e nderuar, antarët dhe krejt  ata që u angazhuan për realizimin e këtij nderimi për imamin e e xhamisë Rus, të nderuarin H. Fejzi Zaganjori, të cilin e falënderoj për shembullin e tij, për përkushtimin dhe punën e madhe, si dhe kontributin përherë në rritje për të mirën e qytetit dhe komunitetit tonë.

I dashur Haxhi Fejzi,

Shëndet të plotë, pleqëri të mbarë, mirënjohje dhe respekt!

Imam Muhamed B. Sytari

Shkodër, më 19 korrik 2019


[1] Fejzi Zaganjori, gazeta “Udha Islame”, viti i parë i botimit, nr. 12, shtator, 2003, f. 8.

[2] Haxhi Fejzi Zaganjori, gazeta “Udha Islame”, viti i pestë i botimit, nr. 52, janar, 2007, f. 9.

[3] Haxhi Fejzi Zaganjori, gazeta “Udha Islame”, viti i parë i botimit, nr. 5, shkurt, 2003, f. 7.

[4] Haxhi Fejzi Zaganjori, gazeta “Udha Islame”, viti i pestë i botimit, nr. 53, shkurt, 2007, f. 4.

[5] Haxhi Fejzi Zaganjori, gazeta “Udha Islame”, viti i tretë i botimit, nr. 28, janar, 2005, f. 10.