Dr. Ibrahim Matar, mik i shtrenjtë në Shkodër
Ditën e martë, më 11 nëntor 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari priti në një takim të përzemërt thirrësin islam, shkrimtarin dhe përkthyesin e nderuar damasken, Dr. Ibrahim Matar, i cili ndodhet për një vizitë disa ditore në qytetin e Shkodrës, me ftesë të Myftinisë Shkodër.
Gjatë takimit të përzemërt, Myftiu i Shkodrës i uroi mirëseardhjen edukatorit dhe intelektualit të nderuar damasken, Dr. Ibarhim Matar, duke u lutur që kjo vizitë e tij e parë në qytetin e Shkodrës të plotësojë mozaikun e pasur të udhëtimeve të tij në vende të ndryshme të botës, ku ka ligjëruar, ku ka dhënë mësim, ligjërata dhe konferenca të ndryshme përgjatë pesë dekadave të fundit.
Nga ana e tij, Dr. Ibrahim Matar shprehu kënaqësinë e madhe për këtë vizitë në qytetin e Shkodrës, që sikurse tha: “Me këtë qytet më lidh një periudhë e begatë e jetës sime, kur si mësues dhe kujdestar i studentëve shqiptarë, atyre shkodranë në veçanti gjatë viteve 1993 -2003, kisha kënaqësinë dhe nderin të jem kujdestar dhe përgjegjës për elitën e hoxhallarëve të ri të Shkodrës, që studiuan tek ne në Damask, në Fondacionin e Kryemyftiut të Sirisë, Shejkh Ahmed Keftaro!”
Më pas, bashkëbisedimi i ngrohtë vijoi me biseda me interes të përbashkët, me risjelljen në vëmendje të kujtimeve të shumta të periudhës, kur Myftiu i Shkodrës studionte në Damask të Sirisë, dhe ku Dr. Ibrahim Matar ishte mësues dhe edukator i spikatur.
Vlen të theksohet, se Dr. Ibrahim Matar ka shërbyer për disa dekada si mësues i gjuhës angleze, si hatib i disa xhamive, si ligjërues dhe pjesëmarrës në konferenca të ndryshme ndërkombëtare, sikurse njihet si përkthyes dhe shkrimtar, librat e të cilit janë botuar me mijëra kopje dhe janë shpërndarë në vende të ndryshme të botës arabe dhe islame.
Ai ka pasur nderin që në një periudhë të gjatë të jetës së tij të ishte një ndër përkthyesit e gjuhës angleze të Kryemyftiut të Sirisë, Shejkh Ahmed Keftaro.





