Aktivitet përkujtimor, me rastin e 16 nëntorit, ditës së shënuar të Çlirimit të Madh.

Ditën e shtunë, më 16 nëntor 2019, pas namazit të akshamit, Myftinia Shkodër organizoi në xhaminë e “Dy Vajzave” aktivitetin përkujtimor me rastin e 16 nëntorit, ditës së shënuar të Çlirimit të Madh.

Aktivitetin e hapi teologu Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”, i cili bëri një përmbledhje të shkurtër të asaj dite të madhe të ripahjes së xhamisë së Plumbit, pas 23 vitesh ndalim të fesë dhe lirisë së besimit.

Më pas, teologu hapja zhvilloi një bashkëbisedim me H. Abdullah Myftinë, nismëtar dhe pjesë e grupit organizativ të punës për hapjen e kësaj xhamie dhe zhvillimit të ceremonisë së 16 nëntorit 1990. H. Abdullahi solli në vëmendje për të pranishmit vështirësitë, peripecitë, por edhe emocionet dhe kënaqësinë e madhe, që grupi i punës ka pasur ato ditë. Ai ndër të tjera theksoi, se edhe pse ishte lejuar feja, akoma pushteti komunist dhe aparati i sigurimit ushtronin presion dhe sillnin pengesa të ndryshme, në mënyrë që të bllokonin ceremoninë madhështori të 16 nëntorit 1990. H. Abdullahu u lut për të gjithë ata nismëtarë të asaj ngjarje të madhe, të cilit kanë kaluar në botën tjetër dhe njëkohësisht falënderoi çdokënd, që ka marr pjesë apo ka dhënë kontributin e tij për hapjen e xhamisë së Plumbit.

Pastaj aktiviteti vazhdoi me shfaqjen e dokumentarit “Triumfi i zanit të minareve”, i përgatitur nga Myftinia Shkodër me rastin e 25 vjetorit të rihapjes së xhamisë së Plumbit.