U përurua xhamia e re e fshatit Shirq

Në një atmosferë të begatë besimi dhe vëllazërie, Myftinia Shkodër dhe Fondacioni “Mirësia”, organizuan të xhumanë, më 6 dhjetor 2019, ceremoninë e përurimit të xhamisë së re të fshatit Shirq, Njësia Administrative Dajç.

Xhamia e re e Shirqit është ndërtuar falë kontributit të familjes së nderuar, Dr. Nebil Abdurrahim nga Kuvajti.

I pranishëm, bashkë me familjen e tij, donatori kuvajtian shprehu kënaqësinë e realizimit të kësaj xhamie të re, ku tha se vendet e adhurimit na ftojnë përherë drejt Zotit dhe nxisin edukimin e brezave, përhapjen e paqes dhe harmonisë në mesin e njerëzve.

Ai falënderoi zonjën e tij dhe fëmijët, që ia bënë këtë dhuratë të bukur, si një surprizë të pamenduar, të cilës i vendosën emrin e tij!

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Ambasadori i Kuvajtit, Sh.T.Z. Fayez Mishari Al-Jasim, Kryetarja e Bashkisë Shkodër, znj. Voltana Ademi, Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, z. Hilmi Lakti, nën/Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica, Famullitari i Kishës së Shirqit, dom Marjan Gega, Famullitari i Kishës së Velipojës, dom Gjovalin Simoni, Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, Drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, etj.

Mesazhe të shumta të paqes, harmonisë dhe bashkëpunimit për të mirë, dhanë të ftuarit e nderit në këtë ceremoni të gëzueshme.

Ceremoninë e përshëndetën edhe Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari dhe Drejtori i Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja, të cilët ndanë gëzimin e madh të përfundimit të këtij projekti, si një domosdoshmëri për muslimanët e zonës Shirq-Mushan.

Më herët, Ambasadori i Kuvajtit falënderoi familjen Abdurrahim nga Kuvajti dhe vlerësoi bashkëpunimin për realizimin e projekteve që sjellin dobi për komunitetin.

Pas prerjes së shiritit të përurimit, të pranishmit e shumtë falën baahkarisht edhe namazin e xhumasë së parë në xhaminë e re të Shirqit!