Një mbrëmje me shkëlqimin e trashëgimisë së lavdishme osmane

Një mbrëmje me shkëlqimin e trashëgimisë së lavdishme osmane

Mbrëmjen e së xhumasë, më 10 korrik 2026, Myftinia Shkodër organizoi në ambientet e Xhamisë së Plumbit, një bashkëbisedim me vlerë me autorin e veprës: “Kontributi i autorëve shqiptarë në fushën e shkencave kuranore gjatë periudhës osmane”, Dr. Ferid Piku, drejtor i Qendrës “Minber”, Tiranë.

Aktiviteti u përshëndet nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili bëri një analizë të veprës së Dr. Ferid Pikut, duke nxjerrë në pah kontributin e tij të madh në studimin e trashëgimisë së pasur osmane dhe gjurmët e dijetarëve shqiptarë gjatë kësaj periudhe të begatë.

“Dhe, meqenëse personalisht e njoh mirë angazhimin dhe lodhjen e autorit për të na sjellë si soji i kësaj vepre me vlerë të madhe, nuk e teproj aspak, kur them me të madhe se është mirësi e Zotit, që në mesin tonë kemi studiues të këtij kalibri, që jetën ia kanë kushtuar angazhimit për të nxjerrë në pah të vërteta të mëdha nga një histori e pasur, që paradoksalisht, fare pak njihet tek ne dhe, që çuditërisht më shumë përhapen të pavërteta, trillime dhe legjenda rreth saj, sesa të vërteta të mëdha, që kur zbulohen para masës, sëbashku me argumentet përkatëse, del në pah padija e madhe rreth këtyre gjurmëve të dritshme dhe kontributeve të jashtëzakonshme të dijetarëve arnautë në periudhën e lavdishme të historisë sonë osmane!

Në veprën e Dr. Ferid Pikut, lexuesi do të ketë mundësi të lexojë rreth institucioneve arsimore në Ballkan përgjatë periudhës osmane, për medresetë në veçanti dhe që, mbi të gjitha, kanë një perceptim më të pasur se tonat sot, e njëkohësisht, janë vatra ku formohen elitat e një hilafeti, që për shekuj e shekuj përhapi dritë e dije, qytetërim e tolerancë, drejtësi e rend, zhvillim dhe kulturë në çdo cep të hartës së tij të gjerë, nga lindja në perëndim

Libri që keni para duarve ofron me detaje të vlefshme, të dhëna rreth sistemit të arsimit në medresetë osmane, për hierarkinë e tyre, si dhe gradët e këtij shkollimi, sipas këtij sistemi të pasur.” -, theksoi Myftiu.

Më pas, hodhi dritë mbi detaje të përmbajtjes së veprës dhe disa personaliteteve të shquara të periudhës osmane, që u bënë fenerë ndriçues dhe përhapës të Islamit në trojet tona.

“Dhe, sado që të thellohemi në këto studime, patjetër që shumë e shumë të reja, plot të pathëna dhe shumë të vërteta të fshehura e të tjetërsuara ndër dekada, do të dalin në pah, për të dëshmuar bashkarisht madhështinë e periudhës së begatë osmane dhe bekimet e Zotit mbi popullin tonë, që na bëri bashkarisht ndërtues dhe drejtues të një qytetërimi vlerash, që botës i fali zhvillim dhe përparim të padëshmuar më parë.

Dhe siç thotë fjala e urtë italiane: Ciò che è vero non ha fretta!” -, përfundoi analizën e tij Myftiu Sytari.

Me kënaqësi dhe plot interes, të pranishmit ndoqën fjalën e autorit, Dr. Ferid Piku, i cili bëri një dëshmi shumë plot emocion të rrugëtimit të tij drejt realizimit të tezës së doktoraturës në Stamboll, aty, ku siç e theksoi: “shqiptarët nuk janë kurrë jabanxhi!”.

Ai hodhi dritë mbi veprën, duke u ndalur tek dëshmitë e studiuesve bashkëkohorë, që vlerësojnë kontributin e çmuar të dijetarëve muslimanë shqiptarë në shekujt e artë të hilafetit osman, gjurmët e të cilëve qëndrojnë plot dinjitet në dosarët e pasur të arkivave osmane në Turki.

“Ashtu, sikurse e kam përmendur edhe në libër, dëshira ime është që hulumtuesit e rinj të ndërtojnë mbi këtë kontribut dhe të thellohen më shumë, duke hedhur akoma më tepër dritë rreth kontributit të hoxhallarëve dhe dijetarëve shqiptarë të periudhës osmane, në fusha të ndryshme, qofshin ato fetare, letrare, shoqërore, politike etj.”-, përfundoi fjalën e tij, Dr. Ferid Piku.

Më pas, Myftinia Shkodër dhuroi për të ftuarit, veprën  në promovim, me ç’rast, të pranishmit patën mundësi të merrnin edhe dedikimet e përzemërta të autorit.

Me rastin e këtij tubimi vlerash, Myftiu i Shkodrës, i dhuroi studiuesit, Dr. Ferid Piku, një gjurmë të vyer nga trashëgimia e babait të abetareve shqip, Daut efendi Boriçi.