Mevludi Sherifë, tubimi tradicional në xhaminë e Trushit

Paraditën e së hënës, më 9 dhjetor 2019, në xhaminë e fshatit Trush u zhvillua një aktivitet i bukur fetar, në përkujtim të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s.).

Aktiviteti nisi me leximin e një pjese kur’anore nga imami i xhamisë së Barbullushit, z. Ervis Molla.

Më pas, imami i xhamisë së Trushit, H. Jetmir Braqi, uroi të pranishmit e shumtë për mirësinë e pjesëmarrjes në këtë tubim me vlera besimi dhe, që mbi të gjitha ka për qëllim nxitjen e dashurisë dhe lidhjes me të Dërguarin e All-llahut dhe mesazhin, me të cilin u dërgua.

Ligjërata e këtij tubimi u mbajt nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili shprehu kënaqësinë e tij për këtë organizim, që reflekton më së miri ruajtjen e traditave të bukura islame, që lidhen me përkujtimin e Resulull-llahut (a.s.) dhe përhapjen e madhështisë së traditave të tij në mesin e njerëzve.

Myftiu solli në vëmendje të besimtarëve argumente të ndryshme, që bëjnë fjalë për pozitën e lartë të Hz. Muhammedit (a.s.) ndër të dërguarit e All-llahut, si dhe pozitën e ymetit të tij ndër krejt shoqëritë e mëparshme njerëzore.

Aktiviteti vijoi me këndimin e disa pjesëve të përzgjedhura nga “Mevludi” i H. Ali Ulqinakut, salavateve dhe ilahive të ndryshme.

Nën drejtimin e Myftiut, të pranishmit falën edhe namazin e mesditës me xhematë.