Përkujtohet Mevludi Sherifë në xhaminë e Barbullushit

Paraditën e së hënës, më 16 dhjetor 2019, në xhaminë e fshatit Barbullush u zhvillua aktiviteti fetar, në përkujtim të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s.).

Aktiviteti u hap me leximin e një pjese kur’anore nga H. Ramazan Avxhi.

Më pas, e mori fjalën imami i xhamisë së Barbullushit, H. Ervis Molla, i cili pasi uroi të pranishmit e shumtë për pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet me vlera fetare, foli mbi rëndësinë e Mevludit Sherifë dhe përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Pejgamberit (a.s.).

Ndërsa, teologu Idmir Plaku, imam i xhamisë “Ebu Bekër” foli mbi kuptimin e ajetit “Për besimtarët, ai (Pejgamberi) është i mëshirshëm dhe i dhembshur”, duke sjellë shembuj të ndryshëm nga jeta e Pejgamberit (a.s.) dhe përkujdesjen që i Dërguari i All-llahut ka treguar për sahabët e tij të nderuar dhe mbarë ymetit islam.

Aktiviteti vijoi më pas me këndimin e disa pjesëve të përzgjedhura nga “Mevludi” i H. Ali Ulqinakut, ilahive të ndryshme, salavateve të herë pas hershme, të kënduara me xhemat, dhe recitime të Esmaul-Husna nga nxënësit e kursit fetar të kësaj xhamie.

Në aktivitet ishin të pranishëm gjithashtu, Hfz. Shukri Kapllan, imam i xhamisë Krye-Bushat, H. Bujar Haxhani, imam i xhamisë Kosmaç, H. Vullnet Pishtari dhe këndues të Mevludit z. Qamil Ujka dhe Samet Tula.