Mesazhe nga hytbeja e fundit e Ramazanit 1437

Ditën e xhuma, më 1 korrik 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mbajti hytben e fundit të Ramazanit 1437 në xhaminë e Parrucës.

Myftiu u përqendrua tek dy mesazhe kryesore, ku theksoi se: "Pyetja që del vetvetiu në këtë rast është: A është ymmeti islam sot ymmet me peshë në skenën e shoqërive botërore? A jeton ymmeti islam sot, mirësitë dhe begatitë e unitetit, pastërtisë së zemrës ndaj njëri-tjetrit? A është ymmeti islam sot, diktues në politikat globale?

Besoj, se gjithësecili prej nesh duhet të shohë brenda vetes së tij, për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve. Shihni përreth jush, në Shkodër, në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në çdo trevë shqiptare. Sa peshë kanë muslimanët në realitetet e qyteteve dhe vendeve përkatëse?

Ejani ta ngushtojmë rrethin: Sa është ndjerë atmosfera e Ramazanit në qytetet tona sivjet, në sheshet me tavolina alkooli e muzikë pa limit, në trotuaret plot zhveshje, ekstravagancë e humbje kohe, në fjalorin banal të shumë të rinjve krejtësisht të hutuar, në mosvlerësimin e shpirtit të Ramazanit në shitblereje, në restorante, por jo vetëm!? Nëse ne nuk krijojmë traditat tona, që na i udhëzon jeta fetare dhe identiteti islam, mos të presim të na i servirin të tjerët për sy e faqe!

Të dashurit e mi,

Ka ardhur koha që gjithësecili prej nesh të kuptojë si duhet, se nuk kemi gjë më të shtrenjtë e më të shenjtë në jetë se fenë tonë dhe, se nuk kemi njeri më afër, më shumë se njëri-tjetrin. Me fjalë të tjera, pa arritur në gradën e përjetimit të frymës “muslimani për muslimanin, si dora për dorën”, ne vetëm se humbim kohë me predikime e ligjërata artificiale, që nuk ndërtojnë, por qarkullojnë në rrethin e rutinës!"

Myftiu bëri edhe disa lajmërime që lidhen me sadekanë e fitrit, faljen e Fitër Bajramit në sheshin e Namazgjasë, bri xhamisë "Ebu Bekër", zekatin e haxhin e sivjetshëm etj.