Myftiu i drejtohet besimtarëve me një mesazh shprese

Ditën e xhuma, më 13 mars 2020, ashtu siç u njoftua edhe zyrtarisht nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, pas gjendjes së krijuar pas evidentimit të rasteve të para me virusin e COVID-19 në vendin tonë, u anulluan tubimet e ndryshme fetare e kulturore në xhamitë tona, përfshi edhe namazin e xhumasë.

Në këto kushte të papritura e të padëshiruara për besimtarët, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, iu drejtua besimtarëve me një mesazh shprese dhe udhëzimi, në mungesë të një hytbeje të unifikuar që ishte planifikuar të mbahej në të gjitha xhamitë e Shkodrës.

Myftiu foli mbi vlerat e pastërtisë në fenë islame dhe theksoi se muslimani është njeri i pastër, që vjen në këtë botë nëpërmjet rrugëve të pastërtisë, jeton pastër dhe largohet me pastërti.

Në këto kontekste, ai përmendi vendin që ka larja e përgjithshme e gusulit, ajo e abdesit, pastrimi i gojës, parfumosja, mbajtja pastër e oborreve, e rrobave, etj., në jetën e muslimanit.

Myftiu tha se shembulli më i mirë që duhet të pasojnë muslimanët edhe në këtë rast është Hz. Muhammedi (a.s.), që ishte model i pastërtisë dhe disiplinës në jetë.

“Çfarë të ndalon që të jesh i pastër? Çfarë të ndalon që të mbahesh? Çfarë të ndalon që të kujdesesh për higjienën tënde? Nuk ka asnjë pengesë sot, kur gjithandej ka mjete të shumta e të shumëllojshme pastrimi. Resulull-llahu (a.s.) porosiste shokët e tij: “Mbani pastër mjetet tuaja, pastroni rrobat, që të jeni si nishan në mesin e njerëzve!”, në mënyrë që muslimani të dallohet si nga larg, ashtu edhe nga afër për pastërtinë e tij!” – tha ndër të tjera Myftiu.

Ai iu drejtua besimtarëve që të mos bien në panik pas lajmeve të shumta që janë përhapur dhe rregullave të reja të ndërmarra për kufizimin e lëvizjes, por jo vetëm.

Ai u lut dhe kërkoi nga besimtarët që në këto ditë të adhurimit e agjërimeve vullnetare, të shtojnë lutjet, agjërimin e sadekanë dhe të shpresojnë më të mirën nga Zoti i gjithësisë.

Mesazhin e plotë e ndiqni në linkun e mëposhtëm: