Tre mijë vjet dhe fé të njëpasnjëshme në të njëjtin vend, në zemër të Damaskut!
Nga tempulli arameit i Hadadit (zotit të bubullimës), te kisha e Shën Gjon Pagëzorit, e më pas te xhamia Umajade.
Ajo është përballur me zjarre shkatërruese më shumë se një herë dhe është ringritur sërish. A ekziston vallë një vend tjetër në botë që përmbledh në të njëjtët gurë kaq shumë fé dhe qytetërime?
- Xhamia Emevi (Umajade), histori 3000 vjeçare!
- Tre mijë vjet në të njëjtët gurë. U ngrit si një tempull kushtuar perëndisë aramite Hadad, që i sillte shiun Damaskut; dhe përfundoi në xhami, në të cilën falen namazet ditë pas dite!
Mes këtyre dy skajeve (periudhave) u ndërthurën fé të njëpasnjëshme, dhjetëra vite ndërtimi që shpenzuan haraxhin (të ardhurat) e Shamit dhe shumë zjarre që nuk arritën ta shuanin shkëlqimin e saj.
Nga minarja e tij do të zbresë Isai, biri i Merjemes (paqja qoftë mbi të), përpara kiametit (ahirzaman).
- Para se në këtë vend të thirrej ezani, ai ishte vend adhurimi për perënditë e qytetërimeve të lashta.
Fillimisht ishte tempulli i perëndisë aramite (Hadad). Më pas u bë tempull grek i Jupiterit. Pastaj, me urdhër të perandorit Teodosi I-rë, në vitin 391 e.s., u shndërrua në Katedralen e Gjon Pagëzorit (Johana El-Maumedan), duke u bërë kisha më e madhe në Sham.
Çdo fé ndërtoi faltoren e saj mbi rrënojat e asaj që i parapriu; më pas erdhi Islami dhe nuk e rrënoi atë që ishte ndërtuar më parë.
- Kur muslimanët e çliruan Damaskun në vitin 634 e.s., gjysma e qytetit u çlirua me marrëveshje paqësore, ndërsa gjysma tjetër me luftë.
Ata nuk e morën katedralen me forcë, por u morën vesh me banorët e qytetit që ta ndanin atë: Pjesa lindore të shërbente si xhami, ndërsa pjesa perëndimore të mbetej kishë.
Kjo gjendje vazhdoi për më shumë se 7 dekada (shtatëdhjetë vjet); muslimanët hynin nga një derë dhe të krishterët dilnin nga një derë tjetër, nën të njëjtën çati.
Është quajtur edhe: “Xhamia e Sahabëve”.
- Derisa e mori drejtimin e kalifatit emeviu, El-Velid ibn Abdulmelik, që dëshironte të ngrinte një kështjellë meritore për kryeqytin e Kalifatit. Për këtë arsye hyri në negociata me të krishterët e Damaskut dhe u ofroi katër kisha në pjesën lindore të qytetit në këmbim të dorëzimit të katedrales.
Në vitin 705, e shembi katedralen dhe filloi ndërtimin e projektit (Xhamia e Madhe Emevite -Xhamia Umajade).
Dhjetë vite punë të pandërprerë, derisa ndërtimi përfundoi në vitin 715.
- Nga skajet më të largëta të botës erdhën mjeshtër të njohur të punimeve: koptë nga Egjipti, persë, indianë dhe njëqind artistë grekë, që i dërgoi perandori bizantin.
Shteti Emevit shpenzoi 1 milion e 600 mijë dinarë flori, që sot do të përkthehej në rreth 600 milionë dollarë amerikanë. Kjo shumë ishte e barabartë me të ardhurat e rajonit të Shamit për shtatë vjet.
Muret e jashtme të saj janë ndërtuar me të njëjtët gurë të Tempullit të Jupiterit, me lartësi 158 metra dhe gjerësi 100 metra, të cilët ende qëndrojnë në vendin e tyre.
- Xhamia nuk mbart vetëm gurët e saj; në të është edhe varri i Profetit Jahja (a.s), i biri i Zekerijait (paqja qoftë mbi të dy) – i cili është po ai, Gjon Pagëzori, që shenjtërohet nga të krishterët. Aty ndodhet edhe vendi (mekami), ku u vendos koka e Imam Husejnit (Allahu qoftë i kënaqur me të) pasi u soll në Damask. Pranë tij gjendet gjithashtu varri i Salahudin Ejubit dhe “Minarja e Isait (Jezusit).”
- Pjesën ballore të Xhamisë disa herë e dogjën zjarret. Herën e parë, në vitin 1069, zjarri i shkaktuar nga ushtarët fatimitë u përhap në të, duke bërë që ajo të mbyllej për disa vite. Gjatë periudhës memluke, zjarret u përsëritën. Më pas, në vitin 1400, erdhi Timurlanku (Tamerlani) dhe i vuri zjarrin tërë Damaskut për tri ditë rresht. Xhamia u dogj aq rëndë, sa nuk mbetën veçse muret e saj.
Pastaj ndodhi zjarri më i madh…
- Në nëntor të vitit 1893, gjatë periudhës osmane, një zjarr i madh shpërtheu në Xhaminë Emevite (Umajade) të Damaskut, derisa u shemb kupola e saj qendrore.
Thuhet se Mus’hafi i Hz. Osmanit (kopja e Kur’anit të Hz. Othmanit), të cilin kalifi Osman ibn Affani ua kishte dërguar banorëve të Shamit, u dogj në këtë zjarr.
Më pas, xhamia u restaurua ndërmjet viteve 1896–1905, me urdhër të valiut Nazim Pasha, me një kosto prej 70 mijë lirash ari, duke u përpjekur që restaurimi të ruante, sa të ishte e mundur, planin dhe pamjen origjinale të saj.
- “Dinastia Emevite shkoi me pasurinë dhe me pushtetin e saj, ndërsa Xhamia mbeti vetmitare për ta përjetësuar emrin e tyre në këtë botë. Ajo mbeti më e përjetshme, sesa ajo që fituan emevitët prej pasurisë dhe pushtetit të tyre!”
— Ali Et-Tantavi
(www.instagram.com/ mediawatad)









