Nata e Kadrit, Presidenti Meta viziton Myftininë e Shkodrës

Me rastin e Natës së Kadrit, vlera dhe madhështia e të cilës përmendet qartë në Kur’anin Famëlartë, Presideti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, zhvilloi një vizitë të përzemërt në Myftininë e Shkodrës.

Presidenti i Republikës u prit nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, që pasi i uroi mirëseardhjen në Shkodër, e falënderoi Shkëlqesinë e Tij për këtë vizitë të veçantë në atmosferën e Muajit të Begatë të Ramazanit dhe Natës së Kadrit.

Myftiu theksoi se 2020-ta është viti jubilar i 30 vjetorit të rihapjes së aktivitetit fetar në Shkodër, pas rënies së diktaturës komuniste.

Me këtë rast, i dhuroi Presidentit të Republikës një tabllo të tubimit madhështor të rihapjes së xhamisë së Plumbit, më 16 nëntor 1990.

Myftiu tha se, diktatura i shembi muret dhe objektet, porse nuk arriti të vriste dot shpirtin dhe besimin e njerëzve, që edhe pas dekadash nga privimi i madh, ishin të gjithë së bashku në hapjen e xhamive dhe kishave në vend në nëntor të vitit 1990.

Nga ana e tij, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e tij për Myftiun dhe Myftininë e Shkodrës, për aktivitetin e larmishëm, për rolin vendimtar në përhapjen e harmonisë fetare e kombëtare dhe nxitjen dhe ruajtjen e paqes sociale, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera fetare në vend.

Njëkohësisht uroi besimtarët me rastin e Natës së Kadrit, sikurse vlerësoi rolin e Shkodrës, prijësve fetarë dhe qytetarëve të saj në ruajtjen e besimit, si dhe vlerësoi rolin e spikatur në proceset demokratike të vendit

Pas pritjes në zyrën e Myftiut, Presidenti Meta vizitoi edhe xhaminë e Parrucës, ku u njoh edhe me historikun e saj dhe shprehu kënaqësinë e tij për rimëkëmbjen e institucioneve të besimit, që i shërbejnë komunitetit në praktikimin në liri të adhurimeve dhe lutjeve të tyre.

Me rastin e kësaj vizite, Myftiu shtroi edhe iftarin e kësaj Nate të Begatë.