Konkursi i 6-të i kurseve të xhamive të Shkodrës

Paraditën e së shtunës, më 26 mars 2016, sektori i arsimit pranë Myftinisë Shkodër, organizoi në Xhaminë e Madhe, në Fushë Çelë, konkursin e 6-të të përvitshëm me fëmijët e kurseve të xhamive të Shkodrës.

Sipas të dhënave të sektorit të arsimit, në këtë konkurs morën pjesë përfaqësues të 40 xhamive, ku konkuruan dy nxënësit më të mirë të tyre, duke nxjerrë në pah përgatitjen dhe punën e mësuesve të tyre, imamëve të nderuar të xhamive tona.

Aktiviteti u përshëndet nga teologu Arben Halluni, i cili theksoi se ky konkurs i përvitshëm ka një vlerë të madhe, për të nxjerrë në pah përgatitjen e nxënësve dhe vlerën e kurseve tona fetare për edukimin e brezit të ri me edukatën fetare dhe mësimet elementare të fesë; suret e Kur’anit, rregullat e namazit, kushtet e besimit dhe Islamit, normat edukative islame etj.

Aktiviteti u përshëndet edhe nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili ndoqi me kënaqësi zhvillimin e konkursit dhe ndau me imamët e pranishëm dhe nxënësit e tyre, emocionet e kësaj dite të begatë.

Për rreth tre orë, pjesëmarrësit përfituan nga ky aktivitet i larmishëm, që u pasurua edhe nga programi i bukur artistik me ilahi e recitime, organizuar nga nxënësit e kurseve tona, All-llahu i ruajtë dhe i dhashtë suksese e mbarësi.

Në përfundim të këtij aktiviteti u shpallën edhe fituesit e këtij konkursi: Xhamia e fshatit Shtoj i Vjetër, Xhamia e fshatit Golem dhe Xhamia e fshatit Milan-Rrasek, sikurse spikatën xhamitë: Bardhaj, Boks, Luarëz, Bahçallek etj.

Myftinia Shkodër falëndron të gjithë imamët pjesëmarrës, si dhe komisionin vlerësues të përbërë nga teologët: Idmir Plaku, Lavdrim Hamja dhe Adil Cukali.