Paraditen e ditës së shtunë, më 18 dhjetor 2021, Myftinia Shkodër zhvilloi një aktivitet kulturor me rastin e 18 dhjetorit, të shpallur nga UNESCO si Dita Botërore e Gjuhës Arabe.
Përveç përfaqësuesve dhe imamëve të Myftinisë, ishin të pranishëm edhe intelektualë të qytetit, të rinj dhe dashamirës dhe njohës të gjuhës arabe.
Teulogu Arben Halluni në fjalën e tij të hapjes tha se ky është aktiviteti i parë që organizon Myftinia Shkodër për gjuhën arabe, si gjuha e Islamit dhe e Kuranit, gjuhë që flitet nga rreth gjysmë miliardi njerëz anë mbanë botës, gjuhë që është përfshirë zyrtarisht si gjuha e gjashtë e OKB-së (Organizatës së Kombeve të Bashkuara). Duke treguar vlerën dhe rëndësinë e saj, vuri në dukje se kohët e fundit Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) ka vendosur Kaligrafinë Arabe në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale.
Më pas, teologu Lavdrim Hamja gjatë referimit të tij foli në lidhje veçoritë dhe elementët dallues të kësaj gjuhe të lashtë, historikun e saj, statistika për vendet që e përdorin si gjuhë amtare, por edhe për shtrirjen e saj në çdo vend të botës.
Teologu Hamja ndër të tjera tha, se: “Gjuha arabe arriti të ishte gjuha e të gjitha shkencave gjatë epokave islame dhe të bëhej një mjet për të shprehur idetë që nga shekulli i parë i migrimit (hixhretit). Kështu arabishtja arriti të bëhet gjuha e shkencës në vendet e saj të reja dhe të kalojë nga të qenit një gjuhë me origjinë beduine (nomade), në një gjuhë ndërkombëtare, për arabët dhe joarabët, muslimanët dhe të tjerët e praktikonin në marrëdhëniet dhe shkrimet e tyre”.
Në fund të këtij aktiviteti foli edhe z. Muamer Vuci, kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri -Vende Arabe, i cili u ndal rreth temës: “Përhapja e arabishtes në trojet shqiptare”.
Z. Vuci u ndal edhe tek lidhjet e forta dhe të hershme të shqiptarëve me botën arabe, qofshin këto lidhej fetare, kulturore, tregtare, politike, etj.