Ndër shekuj, muslimanët shkodranë, të vetëdijshëm për rëndësinë dhe peshën e vakëfit në mbarëvajtjen e jetës fetare, sociale e kulturore të shoqërisë, nuk hezituan të dhuronin në këtë drejtim, duke u dëshmuar për bamirësi e solidaritet!
Akoma sot, përmendet në Shkodër: Vakëfi i Shaban efendisë, xhamia e Fushë Çelës (lexo: Çel Zylyftari), fusha e Tabakut, vakfi i Zdrales, çinarët, puset e hajrateve, e shumë e shumë vakfe të ngjashme në çdo lagje e fshat.
Periudha e ndarjes së detyruar nga Hilafeti i lavdishëm Osman, solli edhe “mëvetësinë” e dhimbshme të Komunitetit Mysliman dhe përpjekjet për organizim, në një realitet të vështirë, me mungesa të theksuara në kuadro e strategji, si dhe nga rreziku i përhershëm i ndikimeve të ndryshme, në kushtet e izolimit!?
Izolimet, përherë krijojnë situata plot turbulenca, humbje ekuilibri dhe devijime, që shpien deri në humbjen e dinjitetit dhe tjetërsimin e boshtit, siç ka rrezik të ndodhë përherë në periudha tranzicionesh!?
Komunizmi i dha një goditje selektive pronave të komuniteteve fetare, duke prishur e shkatërruar xhamitë e medresetë kryesore, duke konfiskuar bibliotekat e shquara muslimane të Shkodrës dhe duke mos lënë, qoftë edhe një xhami të vetme në këmbë, me përjashtim të Xhamisë së Plumbit dhe një aneksi të xhamisë së vjetër të Tophanës, që shërbeu si dyqan vajguri. (Kam qenë i vogël në moshë, kur rrija në radhë me një bidon alumini, për të blerë vajguri në atë vend!).
Pas vitit 1990, nisi rimëkëmbja e Myftinisë Shkodër, ku ndër përparësitë e organizimit isbte edhe rikthimi i vakëfeve të shenjta. Po si?
Shumë e shumë dosje, akoma sot, sillen zyrave të shtetit, duke mbajtur peng kthimin e tyre final tek i zoti, duke mbajtur peng zhvillimin dhe njëkohësisht, duke dëshmuar dështimin e qeverive të këtyre tre dekadave në kapërcimin me sukses të këtij hendeku të shëmtuar në marrëdhënie me pronat e Myftinisë Shkodër.
Sa e sa premtime, por edhe sa e sa teka e kapriço të papërgjegjshme të drejtuesve të ndryshëm, emrat e të cilëve sot janë harruar, ndonëse në arkivat tonë, janë rrethuar me njolla turpi e mosrespekti, për arrogancën e dëshmuar në hak të një të drejte legjitime, të grabitur, pastaj mohuar e pastaj nëpërkëmbur në hak të muslimanëve shkodranë dhe institucionit të Myftinisë së tyre!
Përtej insinuatave të dallkaukëve misionarë të rrugës, gjatë këtyre dekadave, vakëfet e kthyera janë administruar me përgjegjësi dhe brenda politikës së të mundurës, në kushtet e gati-gati mbijetesës! Nuk janë shitur, as tjetërsuar vakëfet e Shkodrës! Kush thotë të kundërtën, gënjen!
Nuk e ka humbur vakëfi e xhamia e jonë pozitën dhe rolin e saj në shoqëri, as në aspektin social, as në atë kulturor, as bamirës e më gjerë, siç lexojmë andej-këndej në tribuna të dëshpëruara!?
Duhet vlerësuar në kufijtë e konteksteve të kohës dhe politikës së ditës, mundi dhe kontributi i myftilerëve të nderuar të kësaj periudhe: H. Faik Hoxha, H. Bashkim Bajraktari, Imam Ndriçim Sulejman, z. Ermal Nurja për çdo përpjekje në këtë drejtim.
Janë kthyer shumë e shumë vakëfe, pjesa më e madhe e të cilëve janë mbajtur peng deri vonë, duke mos u legalizuar ndërtimet e reja mbi të njëjtat vakfe shekullore, duke u nëpërkëmbur procesi i pajisjes me certifikatë të rregullt pronësie, por edhe duke u legalizuar ndërtime pa leje mbi vakfet tona, në mënyrë flagrante e ilegjitime dhe me mbështetje politike..!?
Vetëm në harkun e vitit të fundit, falë përpjekjeve dhe takimeve të shumta të zhvilluara me faktorë të ndryshëm, kemi arritur të certitikojmë vakëfe të vjetra e shekullore me vlerë për ne, si: vakfi i rrethuar i Fushë Çelës, Kompleksi i Medresesë së djemve, xhamia e Rusit, por jo vetëm!
Më herët kemi arritur të certifikojmë pronat e shenjta në Zogaj, te fusha e Tabakut, në Zdralej dhe shumë xhami e vakfe në fshat.
Vakfet e Shkodrës janë vakfet e Myftinisë Shkodër dhe është përgjegjësi e Myftinisë Shkodër me organizmat e saj trajtimi, vendosja e strategjive, zhvillimi, shfrytëzimi, gjallërimi dhe përfitimi prej tyre brez pas brezi, për të mirën e Thirrjes Islame, aktivitetit bamirës, atij social e më gjerë!
Pëshpërimat dhe grricjet që vijnë nga majtas-djathtas, nga qoshke lokalesh e zyra të hutuarish, në drejtim të vakfeve tona, janë kakofoni dhe zhurma akustike që i kthejmë mbrapsht, duke i shikuar prej lart poshtë, me habi dhe përbuzje (kur, duhet patjetër të shihen në atë mënyrë!)..!?
Detyra e Myftiut të Shkodrës, administratorit, menaxherëve, stafit të brendshëm, imamëve dhe njerëzve të përgjegjshëm, është të lobojnë maksimalisht e të përpiqen në mënyrë të organizuar për zhvillimin e mëtejshëm të vakëfeve të Shkodrës, që nuk kanë qenë e nuk mund të jenë kurrë “mall vakuf” në ambiciet e dallkaukëve dhe njerëzve të vegjël, sado të afërt a të largët që të jenë!
Fuqizimi i vakëfit dhe zhvillimi i tij i jep jetë aktivitetetit dhe krijon mundësi të daljes nga bataku mjeran i “mëvetësisë” së varur dhe të mbajtur peng!
Vakëfet janë damarë jete, që e kemi për borxh shpirtnor, moral e qytetar t’i mbrojmë me shumë fanatizëm dhe intolerancë, jo “vakuf” misionarësh e lajkatarësh primitivë!
Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 19 shkurt 2022