Paraditën e të dielës, më 27 mars 2022, Myftinia Shkodër organizoi një tribunë fetare për motrat besimtare me titull: “Buqetë emocionesh në prag Ramazani”.
Ky aktivitet i dha jehonë fillimit të Muajit të Madhëruar të Ramazanit, por njëkohësisht shënoi edhe mbylljen e ciklit të ligjëratave fetaro-psikologjike “Stacione reflektimi”, të cilat janë mbajtura Live në Zoom nga teologia Zamira Bushati, si dhe ato të mbajtura në xhaminë e Parrucës dhe Tophanës nga teologet Ferzet Ndoja dhe Jetmira Plaku.
Aktiviteti i sotëm u kurorëzua me emocione të përzemërta nga të pranishmet, të cilat kishin mbushur plot sallën e konferencave tek Hotel Colosseu.
Programi i këtij aktiviteti ishte ndërthurrur me ligjërata të mbajtura nga teologet e nderuara, si dhe lexim të Kuranit Famëlartë, ilahi të ndryshme dhe poezi, që u përcollën me mjeshtëri nga vajzat e reja.
Temat e kumtuara në këtë aktivitet ishin: “Me Kuranin në Ramazan” – teologia Ferzet Ndoja; “Ramazani, edukues i shpirtit” – teologia Jetmira Plaku, dhe “Si të arrijmë më të mirën në Ramazan” – teologia Zamira Bushati.
Këto ligjërata trokitën në çdo mendje e zemër, për të hapur dyert për mysafirin e begatë, muajin e shenjtë të Ramazanit.
Aktiviteti u ndoq edhe Live me anë të Zoom-it nga shumë gra dhe vajza të reja, nga vende të ndryshme të botës.