Pasditën e të martës, më 29 mars 2022, në sallën e ligjëratave të kompleksit pranë xhamisë Kiras, në vigjilje të muajit të begatë të Ramazanit u zhvillua tribuna fetare: “Mirë se vjen Ramazan”, me pjesëmarrjen e këshillit të Myftinisë, imamëve, myezinëve dhe këshillave të xhamive të Shkodrës.
Në fjalën e hapjes, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, shprehu kënaqësinë se atmosfera e begatë e Ramazanit ka filluar të ndjehet në qytet dhe në fshatra, përmes përgatitjes së përgjithshme, pastrimeve, rregullimeve, mesazheve të urta, etj.
Gjatë bisedës së tij, ndër të tjera, Myftiu dha edhe disa udhëzime dhe këshilla që kanë të bëjnë me organizimin e të gjitha riteve fetare në xhami dhe përtej saj, zhvillimit të iftareve, derseve, mukabeles/këndimit të plotë të Kuranit Famëlartë dhe të shumë veprimtarive të tjera të dobishme, të cilat duhet të përcillen tek xhemati.
Në fund, Myfiu uroi për një muaj të begatë, plot dritë dhe shpresë si dhe Zoti (xh.sh) ta bëjë këtë muaj reflektim të besimit, të lidhjes më tepër se kurrë me Krijuesin e gjithësisë përmes adhurimit dhe moralit të mirë me të gjithë krijesat e Zotit në tokë.
Në vijim, H. Durim Kasemi, imam i xhamisë Parrucë dhe H. Ruzhdi Plangaj, imam i xhamisë Kiras mbajtën nga një ligjëratë mbi rëndësinë, vlerat, dobitë shpirtërore, morale dhe fizike që ka agjërimi dhe Ramazani në përgjithësi.
Në kumtesat e tyre spikati shumësia e argumenteve dhe detajeve me vlerë, që lidhen me dobitë e panumërta shëndetësore, sociale e shpirtërore të agjërimit të Muajit Ramazan.
Në fund të aktivitetit, u shpërndanë postera dhe kalendarët e Ramazanit.
Tribuna e plotë: