Myftiu Sytari: “Është Ramazan, evitoni konfliktet, mos abuzoni me çmimet!”

Me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit 1443, gjatë hytbes së xhumasë, më 1 prill 2022, në xhaminë e Parrucës ka apeluar për paqe e mirëkuptim, bamirësi dhe solidaritet në mes njerëzve si dhe për ngritje të vetëdijes fetare dhe identitare në shërbim të së mirës, të respektit të trashëguar me shekuj dhe të barazisë sociale dhe komunitare.

“Ky është muaji në të cilën jemi të ftuar drejt bamirësisë dhe harmonisë, jo drejt kacafytjes, përçarjes dhe asaj që na largon nga mirësia e Zotit.

Cilido prej nesh që për hatër të këtij muaji të madhëruar të Ramazanit, duke qenë agjërueshëm, edhe ata që nuk janë agjërueshëm, por që frenohen nga zënkat e nga zhurmat e panevojshme, Allahu i begatoftë dhe i lartësoftë me të mira në këtë botë dhe në tjetrën!”

Më herët, në dersin e xhumasë, Myftiu solli në vëmendje edhe një detaj nga e kaluara e afërt, ku përmendi se: “Rrëfimet dhe dëshmitë e gjyshërve tanë që thonin se gjatë muajit të madhërueshëm të Ramazanit në Shkodër, edhe të krishterët nuk kanë ngrënë e as nuk kanë pirë në mënyrë të ekspozuar, si respekt ndaj agjërimit të muslimanëve.

Njerëzit në këtë qytet, muslimanët dhe të krishterët ia kanë kushtuar njëri-tjetrit respektin ndaj shenjtërive të njëri-tjetrit, pra mos të bëhet sot muslimani prishës i këtij tabani.

Ta ruajmë edhe ta shenjtërojmë bukurinë dhe madhështinë e muajit të madhërueshëm të Ramazanit!” -, tha Myftiu.

Gjithashtu, theksoi se ky muaj është rast i volitshëm i shtrirjes së ndihmës ndaj atyre që kanë nevojë, në veçanti të varfërve dhe skamnorëve, sikundër u bëri thirrje autoriteteve shqiptare dhe biznesit që në këtë situatë të vështirë ekonomike të ulin çmimet dhe të mos abuzojnë me krizën aktuale me të cilën po përballet shoqëria shqiptare.

“Allahu (xh.sh) do nëpërmjet këtij muaji të begatë të Ramazanit të na lartësojë drejt dashurisë së Tij, mëshirës dhe faljes së pakufishme, për t’u kthyer pas këtij muaji të begatë gjithsecili si një element garancie, sigurie, zhvillimi dhe përparimi në shoqërinë e tij.

Një shoqëri në të cilën njerëzit e saj, besimtarët e saj agjërojnë Ramazanin nuk mund të jetë kurrë një shoqëri e varfër dhe nuk mund të jetë kurrë shoqëri e prapambetur, e korruptuar, e pandershme, në të cilën rriten çmimet në mënyrë abuzive dhe përplasen elitat e kombit, e në të cilën njerëzit janë të pasigurt dhe nuk dinë se çfarë bëhet nesër.

Jo të dashurit e mi! Në shoqërinë e agjërimit të Ramazanit jemi të gjithë të ftuar për të bërë më të mirën dhe për t’i dëshmuar Allahut më të mirën nga vetja jonë, për të dëshmuar vlerat dhe për të përhapur elementet e begata të këtij muaji të shenjtë në çdo vend dhe me çdo njeri.

Kjo është për tregtarët dhe për politikën në veçanti, që të distancohen dhe të largohemi të gjithë së bashku në këtë muaj të begatë të Ramazanit nga zënkat e pakuptimta, nga rritja e çmimeve abuzive.

Ky është muaji në të cilën duhet të ulen çmimet për hatër të Zotit e për të mirë të shoqërisë sonë shqiptare dhe për të mirën e njëri-tjetrit, sepse jemi vëllezër në këtë tokë, e nën këtë qiell të Zotit”, ka thënë ndër të tjera Myftiu Sytari, i cili në fund të mesazhit të tij, u lut për një Ramazan të begatë, me zemër të mirë dhe me agjërim të pranuar nga Krijuesi i gjithë njerëzisë, Allahu (xh.sh).