Me shfaqjen e hënës së re të Ramazanit 1443, akshamin e të xhumasë, më 1 prill 2022, zyrtarisht hymë në atmosferën e begatë të Muajit të begatë.
Besimtarë të shumtë mbushën xhamitë për faljen e teravisë së parë, të gjithë së bashku, duke përjetuar emocione e bekime të ndjera.
Xhamitë e zbukuruara nga brenda dhe jashtë, janë dëshmia më e mirë se ky Muaj ka ardhur me mirësi e mëshirë, me bekime e begati për të gjithë.
Nga xhamia e Parrucës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, uroi besimtarët duke shprehur emocionet e natës së parë të Ramazanit të këtij viti, agjërimi i të cilit nisi sot, të shtunën, më 2 prill 2022.
Myftiu kujtoi të shkuarën e afërt dhe mundësitë e para 30 viteve, si dhe komoditetet e sotme që ofrojnë xhamitë për kryerjen e adhurimeve me qetësi e prehje.
Falënderoi angazhimin e imamëve të dashur dhe risitë e bukura që do të jenë pjesë e këtij Muaji, duke angazhuar faktorë të shumtë në qytet e fshat për të përjetuar një atmosferë sa më të këndshme e shpirtërore.
Poashtu falënderoi hafizët nga Turkija, që sivjet kanë ardhur për të qenë me ne gjatë aktivitetit të teravisë, hatmes, por jo vetëm.
Atmosfera e këtij Muaji dritësoi krejt lagjet dhe fshatrat, duke dëshmuar forcën e besimit dhe paqen e zemrave të përmalluara për këtë shpirt!
Muaji Ramazan nisi me bekime dhe gëzim, plot dritë e pastërti! Me zemër të mirë!