Ditën e shtunë paradite, më 25 qershor 2022, në ambientet e kompleksit “Zmijani”, Myftinia Shkodër organizoi, përmes sektorit të arsimit, aktivitetin e madh të Konkursit të 10-të vjetor midis kurseve fetare, që zhvillohen në xhamitë e Shkodrës.
Ky aktivitet madhështor mblodhi mbi 750 nxënës nga 45 xhami të qytetit dhe fshatit, dhe sipas programit të parashikuar, filloi me fjalën e drejtuesit të arsimit, teologut Arben Halluni, i cili pasi iu uroj mirëseardhjen nxënësve frekuentues sistematikë të mejtepeve të xhamive, u foli për rëndësinë që ka kjo ditë e veçantë për ta, tashmë e kthyer në traditë, që frymëzon besim, adhurim, edukatë, kulturë, respekt, atdhedashuri, traditë, vëllazëri dhe harmoni me të gjithë.
Aktiviteti i konkursit të madh fetar u shoqërua me veprimtari të shumta sportive e zbavitëse si dhe lojëra animatore në ambientet e kompleksit, të menaxhuar nga tre mësues të fushës sportive.
Gjithashtu, në program kishte edhe recitime me poezi, ilahi, këndim nga Kur’ani Famëlartë, etj, si dhe Konkursi i përvitshëm mes nxënësve të xhamive të të gjithave mejtepeve/kurseve feare. Në përfundim të konkursit, u zhvillua ceremonia e shpalljes së fituesve, ku juria e përbërë nga imamët Naim Drijaj, Ervil Kuçi dhe Besim Barbullushi, vendosën në bazë të pikëve të marra nga secili konkurues, për çmimin e parë: Nejla Hasaj, xhamia Dragoç; çmimi i dytë: Unejs Heta, xhamia Mjedë; dhe çmimi i tretë: Selam Fangaj, xhamia Bardhaj.
Ndërsa çmimi për zërin e bukur në leximin e Kur’anit u shpall nxënësi Erigers Tahiri, xhamia Ganjollë.
Sektori i arsimit, pranë Myftinisë Shkodër vlerësoi edhe me çmime inkurajuese (fletë lavdërimi) për nxënësit që spikatën gjatë konkursit fetar dhe gjithashtu të dalluar në procesin mësimor të kurseve fetar.