Ditën e martë, më 28 qershor 2022, në ambientet e xhamisë së Parrucës, Myftinia Shkodër nisi trajnimin e haxhilerëve të këtij viti.
Ligjërata e parë u mbajt nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili dha disa këshilla dhe udhëzime të mbushura me emocione, nëpërmjet të cilave sqaroi pozitën e lartë të adhurimit të Haxhit dhe dashurinë e Allahut për haxhilerët.
Më pas, murshidi i grupit të Shkodrës, teologu Esmir Selimi, shpjegoi domethënien e Haxhit, si dhe mënyrën e kryerjes së Umres, që i paraprin Haxhit.
Nëpërmjet detajeve të ilustruara dhe pyetjeve nga të pranishmit, u sqaruan detaje të rëndësishme, që i nevojiten çdo haxhiu për ditët e udhëtimit të tij.
Trajnimi dhe aktivitetet për nder të haxhilerëve vazhdojnë deri ditën e hënë, më 4 korrik 2022, kur të regjistruarit shkodranë për Haxhin e sivjetshëm do të marrin rrugën për në vendet e shenjta.