Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare!
Në këndvështrimin e Islamit bajramet janë padyshim një mesazh shpirtëror e social dhe rast për çdo mysliman që të bashkohet në gëzimin e përbashkët të bijve të ymetit mysliman, pavarësisht nga moshat, nivelet, racat, gjuhët, kulturat etj.
Feja islame e ka karakterizuar Kurban Bajramin me një vlerë nga vlerat sociale, e ato janë: sakrifica dhe bindja, simbole këto të Kurban Bajramit. Një nga kuptimet e sakrificës në Islam është që individi të zbresë nga një pjesë që zotëron, për të cilën nuk ka nevojë dhe t’ia japë atij që nuk e zotëron dhe që është i nevojshëm.
Vëllezër dhe motra besimtarë!
Këto ditë të shënuar të Kurban Bajramit duhet të na forcojnë më tepër besimin nga Zoti Fuqiplotë dhe shpresën për një të ardhme më të mirë. Shoqëria le të kthejë vetëbesimin, secili të punojë me ndërgjegje dhe përgjegjësi. Më mirë është të punohet për njëri-tjetrin se sa të flitet për njëri-tjetrin. Dhe le të kuptojmë që fshehtësia e suksesit në këtë botë, është besimi i sinqertë dhe veprat fisnike!
Uroj dhe lutem që në këto ditë të shenjta të Kurban Bajramit dhe përgjithmonë, që sa më shumë të mbretërojë solidariteti, respekti, paqja për të gjitha vendet, harmonia e bashkëjetesa ndërfetare dhe dashuria në mesin e njerëzve pa përjashtim, e mbi të gjitha sakrifica për të përhapur të mirën dhe jo dhunën, të drejtën dhe jo konfliktin.
Duke qenë se Shqipëria, kryesisht Shkodra është një vend i tolerancës dhe bashkëjetesës së shkëlqyeshme, me një kulturë të jashtëzakonshme fetare, të cilën e gjithë bota e çmon si një pasuri të veçantë të vendit tonë, le të vazhdojmë të punojmë së bashku me tërë dijen dhe vullnetin tonë të mirë që ky vlerësim i lartë të mos ndalet kurrë!
Drita e këtyre ditëve le të ngrohë shpirtin tënd dhe gëzimi le të ta mund hidhërimin.
Të gjithëve nga zemra ju uroj festën e Kurban Bajramit, duke lutur Allahun (xh.sh) për shëndetin tuaj dhe suksese në jetë dhe punë. Veçanërisht dëshiroj që Bajramin tua uroj të gjithë bashkëqytetarëve tanë në diasporë, të sëmurëve, invalidëve, të paaftëve me lutje më të sinqertë që Allahu i Madhërueshëm t’i ndihmojë.
Një urim i veçantë shkon edhe për të gjithë haxhilerët e Shkodrës, të cilët me Myftiun e Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, përcjellin selamet dhe lutjet e tyre për ne, për Shkodrën dhe për mbarë Shqipërinë, por edhe ne lutemi që Allahu t’ua pranojë haxhin, adhurimet dhe lutjet që bëjnë për veten e tyre, për familjen dhe për qytetin tonë te dashur, Shkodrën, që Zoti ta mbulojë këtë vend me mirësi dhe besim të palëkundur te Krijuesi jonë i përbashkët, Zoti Fuqiplotë!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen!
Paqja qoftë gjithmonë mbi ju!
Gëzuar dhe për shumë vjet festën e Kurban Bajramit!
Arben Halluni
Përgjegjës i Arsimit – Myftinia Shkodër
Shkodër, më 9 Dhul-hixhe 1437
11 shtator 2016