Mbrëmjen e së enjtes, më 10 mars 2016, në xhaminë e “Dy Vajzave”, u zhvillua mbyllja e ciklit të parë të derseve me temë “Feja është këshillë”, që u organizua në disa prej xhamive të Shkodrës, në datat 29.2 – 10.3. 2016, sipas një programi të lajmëruar më parë nga Myftinia Shkodër.
Cikli i parë i derseve në fjalë u zhvillua në xhamitë: “Ebu Bekër”, Dërgut, Rus, Kiras, Mes-Myselim, Perash, Medrese dhe në xhaminë e “Dy Vajzave”, ku ligjëruan imamët e nderuar: Idmir Plaku, Lavdrim Hamja, Naim Drijaj, Durim Kasemi, Adil Cukali, Ervil Kuçi dhe Ruzhdi Plangaj.
Në mbrëmjen e mbylljes së këtij cikli të dobishëm vasesh, në xhaminë e “Dy Vajzave”, ishte edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili falënderoi imamët dhe xhematet për angazhimin e tyre dyjavor në këtë seri mbrëmjesh fetare me ligjërata e këshilla të dobishme fetare.
Myftiu vlerësoi këto tubime si mundësi e marrjes së këshillave të dobishme fetare, si dhe si një shtysë e mëtejshme për rritjen e harmonisë në mesin e muslimanëve.
Aktivitetin e përshëndeti edhe Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, i cili shprehu vlerësimet e tij për këto tubime të dobishme dhe theksoi se kjo eksperiencë duhet të përhapet edhe në qytetet e tjera, si një dobi për muslimanët e vendit tonë.
Kjo mbrëmje fetare vazhdoi me këshillat e dobishme fetare të imamëve të nderuar Durim Kasemi dhe Naim Drijaj, të cilët dhanë mesazhe dhe udhëzime të dobishme për besimtarët.
Në fund, imami i xhamisë së “Dy Vajzave”, teologu Lavdrim Hamja, falënderoi të pranishmit dhe Myftininë Shkodër për këtë atmosferë, si dhe shprehu dëshirën që kjo iniciativë e përsëritur të vazhdojë edhe në xhami të tjera.
Për të pranishmit u shpërnda literaturë e dobishme fetare islame në gjuhën shqipe, mundësuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC) në Tiranë.