Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Krijuesit të gjithësisë, që krijoi dhe përsosi, udhëzoi dhe plotësoi, i dhuroi njeriut bekimet pafund të përmendjes së Emrave të Tij, pa ndërmjetës, pa ndërlidhës, pa ndërhyrës… Thotë në Kur’anin Famëlartë: “Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte”[1]
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërsisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), të dërguarit mëshirë për mbarë botët; këshillues dhe qortues, udhërrëfyes drejt rrugës së drejtë, pas së cilës nuk ka devijim e dëshpërim!
Të dashur vëllezër besimtarë,
Po lexoja para pak ditësh në shënimet e njërit prej thirrësve të shquar islamë të kohës tonë, ku gjeta edhe këtë këshillë interesante, që dëshiroj të jetë mesazhi i kësaj jave. Shkruan: “Nëntë gjëra të ndihmojnë në jetën tënde të përditshme:
1. Dëshiron lumturinë? Fale namazin në kohën e vet.
2. Dëshiron dritën e fytyrës? Fal namaz nate.
3. Dëshiron rehatinë? Lexo Kur’an.
4. Dëshiron shëndetin? Agjëro.
5. Dëshiron rrugëzgjidhje? Shtoje istigfarin. (Estagfirull-llah)
6. Dëshiron largimin e brengës? Lutu.
7. Dëshiron sosjen e vështirësisë? Thuaj: La haule ve la kuvvete il-la bil-lah.
8. Dëshiron begatinë? Bjer salavatë për të dërguarin.
9. Dëshiron të shpërblehesh pa u lodhur? Mos i mbaj për vete këto mirësi, shpërndaji për hir të All-llahut, duke i konsideruar si një sadeka rrjedhëse, që do të shkruhet në peshoren e veprave tuaja.”[2]
U ndala pak. Zakonisht, ne jemi të ftuar që fjalët e kujtdo prej njerëzve të shquar të fesë, prej të parëve e deri tek më të afërmit në kohë, t’i peshojmë me Kur’an dhe me fjalët e të dërguarit; nëse kanë një bazë, i vlerësojmë dhe i marrim në konsideratë, përndryshe, i kalojmë si urtësi, të cilat nuk jemi të obliguar t’i zbatojmë as t’i “shenjtërojmë”, siç bëjmë shpesh me fetva të ndryshme, thënie dijetarësh etj.!
Ajo që dua nëpërmjet hytbes së kësaj jave, është tërheqja e vëmendjes drejt mirësive pa fund, që na janë dhuruar për ta jetuar jetën mbi bazën e rregullit, jo në mënyrë anarkike. Nuk dua të bëj analizën e 9 pikave të lartshënuara, do shkonte gjatë, por dua të ftoj secilin prej jush ta shohim e ta lexojmë jetën ndryshe, para duarve të thirrjeve të fesë tonë islame.
Realitetet e jetës së njeriut të kësaj kohe, janë realitete të mbushura me stres, me lodhje, me prekje frike, me mungesë sigurie, me mosbesim, me paragjykim, me ankth, me shqetësim e brenga pa fund. Në Shqipëri, ka mbi 100 vite, që shoqëria noton në këto ujëra të turbullta, me siguri të lëkundur, pa ekonomi të qëndrueshme, me persekutimtim ndaj fesë, me padrejtësi e shthurje të pushteteve, por jo vetëm kaq.
Për këtë, Islami ka dhënë zgjidhjet e tij, për t’i dhuruar besimtarit kurajo, qetësi, durim, urtësi, rehati shpirtërore, si dhe për ta pajisur me sekretet e përballjes me vështirësitë e ditës; namazi i natës, dhikri, salavatet, lutjet, namazet ditore, leximi i vazhdueshëm i Kur’anit etj.
Vëllezër besimtarë,
Falja e namazit në kohën e vet, nuk është thjeshtë një angazhim disiplinor për kryerjen e disa lëvizjeve gjimnastikore të shoqëruara me leximin e disa teksteve të shenjta kur’anore, siç e perceptojnë shumë praktikues të namazit, namazin.
Ai është shtylla kryesore e fesë. Kuptimi i duhur i namazit dhe i veprimit të tij dhuron ndjesi të shumta, ku spikat ajo e mbikqyrjes së marrëdhënies me Zotin e gjithësisë, i Cili urdhëron: “… vërtetë namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar”[3]
Mendo për pak, kur ti zgjohesh herët në mëngjes, me nijet për ta nisur ditën me katër rekatet e sabahut (2 e 2), me lutjet e një dite të re plot mbarësi e mirësi, a nuk e ke për detyrë t’i kërkosh llogari vetes që të ruhet për të mos shkelur në ndalesat e Atij Zoti, të Cilit iu nënshtrua që në sabah, besën e të Cilit do të ripërtërijë pas disa orësh në ndalesën e dytë të namazit ditor, atë të mesditës? Poashtu deri në kohën e iqindisë, akshamit e jacisë, me të cilën e mbyll ditën? Pra, a nuk është namazi i drejtë në vetëvete një hapësirë lumturimi, që të fal garanci dhe të jep kurajo të vazhdueshme në jetë?
Ky lloj njeriu, që ditën e nis me lutje e nështrim para duarve të Krijuesit të vetëm të universit, a mund të jetë mashtrues dhe i padrejtë me tjetrin, kushdo qoftë ai? A mund të jetë zemërkeq e nihilist? A mund të jetë hileqar e gojëprishur? Absolutisht, jo!
Nga ana tjetër, shpesh shohim e dëgjojmë muslimanë pa namaz, pa haxh, pa agjërim, pa zekat… Dhe ka të drejtë kush pyet i habitur: “Çfarë feje, pa namaz?! Dhe çfarë kuptimi ka përkatësia islame pa namaz? Themi muslimanë, por nuk falemi, ose neglizhojmë namazin, ose e lëmë fare namazin. Po ku është Islami këtu? Ku është sinqeriteti me All-llahun?”[4]
Kujtoj një djalë të ri, mjek musliman. Shkova të bëj një vizitë dhe kur e pyeta për takimin e radhës, ma ktheu: “Këtu jam zakonisht, përveç kohëve të namazve, kur dal për t’u falur te xhamia më afër klinikës! Bëj një pushim 15 minutësh…”
Ky është modeli, ky është lumturimi i natyrshëm që të jep Islami!
Sepse namazi, perveç se është themeli i marrëdhënies me Zotin dhe shtylla kryesore që e mban zemrën e besimit në jetë, është edhe dëshmi komunitare; e kundërta e hipokrizisë. Për këtë, Resulull-llahu thoshte: “Diferenca në mes nesh dhe tyre është namazi, ai që e lë atë ka mohuar Zotin!”[5] Jo për të bërtitur disa djelmosha të paformuar: “E kam babën qafir, se nuk falet!”, jo, kjo është mungesë edukate në hak të kujtdo dhe banalizim i fesë dhe i hadithit në fjalë!
Hadithi i lartshënuar është thirrja më e fortë drejtuar muslimanëve për të ruajtur hakun e bashkësisë së tyre, nëpërmjet namazeve me xhemat në xhami! Është thirrja e shpirtit drejtuar mbarë muslimanëve, për t’u takuar pesë herë në ditë në xhami, sup më sup e dorë për dore. (Jo, inate primitive medhhebesh e kokëfortësi fetvashë, që nxjerrin vetë fenë nga feja!?)
Shih pastaj jetën ekonomike, pozicionin në shoqëri, edukimin e brezit të ri, lidhjet shoqërore, gjuhën e komunikimit komunitar në mesin e muslimanëve dhe jashtë tyre, kur të jetë rregulluar namazi! Sepse është amaneti i Zotit, pragu, besa, shpirti!
“Namazi e bart të zotin drejt largimit nga shthurja dhe lënia e veprave të shëmtuara, sipas përkushtimit dhe prezencës së zemrës së tij në namaz”[6], thotë dijetari i shquar Shejkh Abdull-llah Siraxhuddin.
E pikërisht, tek vlera e namazit dhe tërheqja e besimtarëve të përkushtuar ndaj lutjes para duarve të Tij, edhe kur të tjerët flenë, thotë në Kur’an: “Ata qenë të cilët pak flinin natën. Dhe në syfyr (nga mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkatet”[7]
Ndërsa Resulull-llahu (a.s) thoshte: “Faleni namazin e natës, sepse ai është traditë e njerëzve të mirë para jush, është afrim me Zotin tuaj, fshin gabimet, ndalon gjynahin!”[8]
I lumi ai që udhëzohet drejt namazit të natës, sexhdes së gjatë e lutjes në qetësi, para duarve të Zotit të gjithësisë! I lumi ai, që i përgjigjet Resulull-llahut (a.s) teksa udhëzon: “Më afër, ku mund të jetë njerriu me Zotin e vet, është në momentin, kur është në sexhde, prandaj shtojeni lutjen!”[9]
Të dashur vëllezër,
Feja është fakte konkrete, argumente të qarta, moral dhe sjellje, dëshmim i mirësive me të cilat All-llahu i Madhëruar na ka udhëzuar sesi ta jetojmë jetën larg stresit, brengave, shqetësimeve e tronditjeve emocionale kalimtare e epsharake.
Në fakt, feja është stacioni i parë dhe i fundit, i lumturimit në këtë botë dhe në të përtejmen!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Plumbit)
Shkodër, më 11 mars 2016.
[1] Kur’ani, El-Alak: 5.
[2] Në publikimet online në faqen zyrtare të Dr. Omer Abdulkafi, në gjuhën arabe.
[3] Kur’ani, El-Ankebut: 45. (version i përkthimit të kuptimeve të Kur’anit nga H. Hasan Nahi).
[4] Aid El-Karni, “El-misku vel-anber fi khutabil-minber”, botimi i parë, Egjipt, 2005, f. 222.
[5] Transmetuar nga Nesaiu dhe Tirmidhiu etj.
[6] Abdull-llah Siraxhuddin, “Et-tekarrubu ilall-llah”, botimi i parë, Haleb, 1991, f. 27.
[7] Kur’ani, Edh-Dharijat: 17. (version i përkthimit të kuptimeve të Kur’anit nga H. Sherif Ahmeti).
[8] Transmetuar nga Tirmidhiu, nga Ebu Umame (r.a).
[9] Transmetuar nga Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a).