Në një ligjëratë plot mesazhe të urta dhe udhëzime të dobishme për të gjithë, Dr. Salahudin Keftaro, miku i shtrenjtë nga Damasku i Sirisë, iu drejtua të ftuarve në aktivitetin e organizuar nga Myftinia Shkodër, të shtunën, më 12 nëntor 2022.
Në prani të imamëve, thirrësve, studenteve, pedagogëve dhe intelektualëve të ftuar, Dr. Keftaro theksoi se: “Shqipërinë e shohim si vendin simbol të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, vend që e dua përherë e më tepër, pasi gëzohem me qetësinë, atmosferën e sigurisë dhe besimin në mesin e njerëzve!”
Ai tha se: “Periudha aktuale, në të cilën ju përkujtoni rilejimin e besimit dhe fesë, me sjell ndër mend simbolikën e ndritur të Hafiz Sabri Koçit, me pamjen e tij madhështore, në atë ditë të shënuar që e ndoqa me lot në sy dhe, kuptova se kjo dritë e besimit nuk shuhet kurrë!”
Dr. Salahudin Keftaro ftoi të pranishmit të reflektojnë rreth faktit se: “Ardhja e Islamit me urdhëresën hyjnore: ‘Lexo!’, është një kapërcim cilësor nga injoranca në dije, nga groposja e vajzave të mitura në groposjen e veseve të liga dhe prapambetjes!”.
Aktiviteti u përshëndet nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili theksoi se: “Simbolikat e rimëkëmbjes islame, si dita historike e 16 nëntorit 1990, ku në Shkodër, tek Xhamia e Plumbit, u realizua falja e xhumasë dhe tubimi madhështor i besimtarëve, që po dëshmonin për madhështinë e besimit dhe fesë; janë bekime hyjnore, që na jepen për të na ftuar të shohim veten në pasqyrë!”
Poashtu, duke i uruar mirëseardhjen në Shkodër, mendimtarit islam nga Damasku, tha: “Vizita e Dr. Salahudin Keftaro në Shkodër, është një bekim që na fton të shohim veten në pasqyrën e asaj se ku duhet të jetë Thirrja Islame dhe rrugëtimi i ymetit tonë!”.