Me hidhërim të thellë morëm lajmin e shpërthimit terrorist në zemër të lagjes Taksim, në qytetin e dashur të Stambollit.
Fytyra e terrorizmit dhe mbështetësve të tij, ka qenë përherë e zezë! E tillë do të jetë deri në kiamet, pavarësisht kushteve, rrethanave dhe kujdestarëve të tij!
Në Islam, kushdo që nxit terror e dhunë, është i përbuzur, i refuzuar dhe i dënueshëm, sepse jetën, Zoti na e ka dhënë për ta jetuar sipas vullnetit të Tij, larg cytjeve të shejtanit, urrejtjes dhe smirës, frikës nga lartësimi i të mirës dhe afirmimi i vlerave!
Në këtë kontekst, bashkohemi me dhimbjen e vëllezërve tanë në Türkiye dhe lutemi përherë për progresin, përparimin, mirëqenien dhe sigurinë e këtij vendi të madh e popullit vëlla turk!
Allahu e begatoftë Türkiyen, popullin e saj dhe e ruajt nga tentakulat e dëshpëruara të së keqes që vërshojnë drejt saj e drejt çdo vendi, populli e toke në këtë botë, ku jemi kalimtar dhe të ftuar për të mbjellë paqe, zhvillim e mirësi!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 13 nëntor 2022