Ditën e mërkurë, më 5 tetor 2016, në xhaminë e Medresesë, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, në përkujtim të vitit të ri Hixhri 1438, organizuan aktivitetin me temë “Hixhreti, si ripërtëritje e vetëdijes islame”.
Aktiviteti u hap me leximin e një pjesë kuranore, pastaj teologu Arben Halluni uroi të pranishmit me rastin e këtij viti të ri, 1438. Më pas, ai ftoi për të bërë përshëndetjet e rastit, Myftiun e Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari dhe drejtorin e Medresesë, z. Kujtim Dervishi.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Imam Muhamed B. Sytari, pasi falënderoi Zotin (xh.sh) për mirësinë e besimit, theksoi se nuk ka mirësi më të madhe në këtë botë, sesa mirësia e besimit.
Ndër të tjera Myftiu tha se: “Përkujtimi i hixhretit, i kësaj ngjarje të madhe, është më e rëndësishmja e ngjarjeve në kalendarin islam, sepse hixhreti ndryshoi historinë e njerëzimit. Hixhreti për myslimanin e sotëm do të thotë emigrim drejt dijes, drejt përkushtimit, drejt sinqeritetit dhe drejt harmonisë në mesin e vëllazërisë myslimane”.
Myftiu gjithashtu falënderoi drejtorin e Medresesë dhe Kryetarin e Shoqatës “Istanbul” për bashkëpunimin e mirë në rrugën e thirrjes dhe të përhapjes së mësimeve të Islamit.
Drejtori i Medresesë, z. Kujtim Dervishi, pasi uroi të pranishmit për fillimin e vitit të ri Hixhri, falënderoi Myftiun e Shkodrës, Imam Muhamed Sytari për bashkëpunimin, pjesëmarrjen e tij në këtë aktivitet dhe vlerësimin që i bën Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”.
Më pas, teologu Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”, mbajti ligjëratën me temë “Hixhreti, si ripërtëritje e vetëdijes islame”, ku vuri theksin te domosdoshmëria e përkujtimit të datave dhe ngjarjeve të rëndësishme të kalendarit islam dhe sidomos hixhretit të Pejgamberit (a.s).
Ai ndër të tjera tha: “Shokët e të Dërguarit të Allahut (a.s) duke parë rëndësinë e këtyre datave dhe ngjarjeve, vendosën që ditën e Hixhretit të Pejgamberit (a.s) nga Meka në Medine, ta përjetësojnë duke e vendosur si datë të fillimit të kalendarit islam, në mënyrë që myslimanët të mos e harrojnë këtë ngjarje të madhe, por ta përkujtojnë çdo vit, ta studiojnë dhe të nxjerrin mësime prej saj.
Dhe, kështu ne sot, në fillim të këtij viti të ri hixhri 1438, po përkujtojmë këtë Ditë të Allahut, ditën e Hixhretit, apo ditën e një fillimi të ri islam, sepse me shpërnguljen e Pejgamberit (a.s) në Medine, filloi një epokë e re islame, epoka e përhapjes, zhvillimit dhe përcjelljes së mesazhit islam në mbarë botën.
Thelbi dhe ideja e emigrimit në rrugën e Zotit (xh.sh) do të mbesim përgjithmonë udhëzim dhe mësim për myslimanin e mençur dhe të urtë, i cili me bindje e besim ecë në rrugën e Islamit, në rrugën e Zotit të tij. Mesazhin e hixhretit, qëllimin dhe vazhdimësinë e tij në jetën e myslimanit, deri sa të ekzistojë kjo botë, e marrim nga Ibn Abasi (r.a), i cili transmeton se Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Nuk ka më emigrim pas çlirimit të Mekes, por sakrificë dhe nijet (qëllim)”.
Në fund të pranishmit i uruan njëri-tjetrit vitin e ri Hixhri 1438 dhe u lutën për mbarësi, paqe dhe begati për mbarë botën dhe ymetin islam në veçanti.