Realitetet e sotme shqiptare, të mbushura me varfëri e mjerim, skamje e frikë, diktaturë anarkike, imponime të neveritshme të imoralitetit dhe afetarizmit, shthurrjes morale e devijimit logjik e intelektual prej klasave të ndryshme që sundojnë vendin nëpërmjet formave të bollshme të sundimit bashkëkohor etj, po bëhen përditë e më shumë shtysë për thyerrjen e barrierave të neglizhencës dhe mospërfilljes sociale në rrethet muslimane.
Mendoj se, elita e muslimanëve të vendit, (edhe pse e shoh me skepticizëm mundësinë reale të ekzistencës së saj, por asnjëherë s’e kam mohuar as e mohoj), e ka për detyrë emergjente thyerjen e tabuve të heshtjes, mosorganizimit sistematik, mosshfaqjes e mos daljes në skenë në mënyra dinjitoze. Njësoj si detyra morale e studimit të rrugëve për organizime sociale që mundësojnë shfaqjen dhe përhapjen e moralit tonë islam, sidomos për brezat e ri, që rriten sot, shumë më keq se ata të periudhës ateiste, ku rrethi i zhvillimit intelektual e moral ishte i ngushtë, aq sa sot, mjerisht shihen pasojat e breznive të dalura nga inkubatorët e asaj kohe; janë krijesat zombi, që duan ta shqyejnë e ta zhdukin mirësinë nga ky vend, nga ky komb, nga kjo tokë me begati të pallogaritshme, të keqadministruara e të shitura për ujin e fytyrës..!?
Izolimi i elementit elitar musliman shqiptar nga pjesa tjetër e botës, është dhimbje e madhe, dëmet e së cilit kthehen në vetëkënaqësi komunitare me asgjënë, me hiçin, me vakumin, me pasivitetin, me heshtjen, me frikën, me zërin e ngjirur, me gjymtyrët e paralizuara, me.., me…
Ne jemi vendi i vetëm musliman në botë, ku klasa politike guxon të deklarojë se Shqipëria nuk ka pse të ketë lidhje dhe vend në Konferencën e Bashkëpunimit Islam!? Sikurse jemi vendi i vetëm musliman në botë, ku islamofobia sa nuk është shpallur fé shtetërore!? Sikurse jemi vendi i vetëm musliman në botë, që nuk merr pjesë në mënyrë dinjitoze në konferencat elitare të organizmave ndërkombëtare teologjike të botës!? Ne, vendi i emrave të mëdhenj të dijes islame, sot jemi vendi më i papërfillshëm dhe më i papeshë në glob në këtë drejtim, mealesef!? Dhe, kjo është e dhimbshme, shumë e dhimbshme!
Në këtë vend, dita-ditës, njerëzit flasin vetëm për largim e emigrim, ndërkohë që pasuritë e tij keqpërdoren e grabiten nga e keqja me pushtet, që ditë pas dite fuqizohet e kthehet në makth e vner, që i përplaset fytyrës çdo shqiptari, muslimanëve në veçanti!?
Termat kryesore të jetës shqiptare, sot janë: hashash, drogë, plehra, krim, mungesë sigurie, pensione injoruese, papunësi, korrupsion, borxhe, grabitje, islamofobi, frikë, sharje, denigrime, imoralitet, prostitucion, devijim i natyrës origjinale, në të cilën Zoti krijoi mashkullin dhe femrën, tendenca kanceroze për deformimin e kodit të familjes, kurajo e mbështetur nga kolonizimi i jashtëm, i këtij lloj degjenerimi të patolerueshëm dhe të papranueshëm, deformim i dhunshëm i historisë, pastrim i figurave të errëta e antikombëtare të vendit etj, etj!?
Dhe, këto fakte janë drithëruese, të frikshme, alarm që duhet të zgjojë çdokënd që ka pak ndërgjegje, besim e përgjegjësi ndaj vetë jetës, familjes, fëmijëve, të ardhmes!
Gjithë këto mendime më erdhën teksa po lexoja sot, Ibn Khaldunin, i cili tregon një ngjarje, që ia përngjet shumë realiteteve shqiptare të lartpërmendura. Thotë: “Një mbret burgosi një nga vezirët e tij, së bashku me të birin e mitur. Shumë vite kaluan në burg, babë e bir. Djali u rrit dhe zuri mend. Nisi të pyeste të atin për mishin e bagëtive, me të cilin ushqeheshin ndonjëherë se, nga çfarë lloji ishte? Ndonëse djali nuk kishte parë kurrë në jetën e tij, bagëti. E vetmja kafshë që njihte dhe që kishte parë sa e sa herë, ishte miu!? Dmth, mendonte se miu ishte lloj bagëtie, njëkohë që i ati e kundërshtonte dhe mundohej t’ia shpjegonte…”
Përherë e më tepër, realitetet tona po kthehen si ato të djalit të burgosur të vezirit, rrethi i njohurive të cilit ishte ngushtuar shumë, ishte izoluar, nuk prodhonte shpresë e dritë, as vizion e optimizëm..!?
Zoti na ruajtë nga vdekja e shpresës, nga izolimi i mendimit, nga shuarja e vizionit për zhvillim e ndërtim, nga dominimi i racizmit, urrejtjes dhe islamofobisë dhe kthimi i tyre në kushtetutë të shenjtë në këtë vend!
Me fjalë të tjera: “Kush të shohë prej jush një të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij…”
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 3 tetor 2016