Me ftesë të Qendrës Islame Shqiptare të Lozanës dhe Kryetarit të saj, Fehim Abazi, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një vizitë treditore në Lozanë të Zvicrës.
Në program të vizitës ishte edhe dersi dhe hytbeja e xhumasë, më 7 tetor 2016, si dhe ligjërata mbi vlerat dhe dimensionet e Hixhretit profetik, në tribunën fetare, më 8 tetor 2016.
Gjatë takimeve me besimtarë, bashkëbisedimeve të shumta, pyetje-përgjigjeve, dersit të xhumasë, hytbes së saj dhe ligjëratës mbi vlerat e Hixhretit, Myftiu theksoi se mbi të gjitha, muslimanët e sotëm duhet të zgjohen nga pasiviteti dhe mosorganizimi shoqëror, por duhet të shohin përpara për të ndërtuar lavdinë bazuar mbi thelbin e fesë së tyre dhe mesazhet qytetëruese, që ajo rrezaton.
“Realitetet e sotme, po luajnë rolin e tyre për frikësimin e njerëzve nga Islami, ku përçudnimi i imazhit të tij, nëpërmjet dhunës, vrasjeve barbare, djegies e terrorit, (me të cilët feja e jonë nuk ka asnjë lidhje, as mund të ketë) po kthehen në një shqetësim global dhe një ftesë për reflektim, sidomos për elitat.
Le të ndalemi pak dhe të lexojmë së bashku:
1. “Musliman është ai, nga dora dhe gjuha e të cilit janë të shpëtuar krejt muslimanët, ndërsa muhaxhir, është ai që largohet nga ndalesat e All-llahut” – ( Bukhariu dhe Muslimi)
2. “Me të gjitha cilësitë vuloset personaliteti i besimtarit, përveç tradhëtisë dhe gënjeshtrës” – (Ahmedi)
3. “Ruajuni nga paragjykimi, sepse paragjykimi është biseda më gënjeshtare! Mos e spiunoni dhe mos e nxitni për keq njëri-tjetrin! Mos u urreni! Jetoni si vëllezër…” – (Bukhariu dhe Muslimi
4. “… Muslimani është haram për muslimanin; gjaku i tij, pasuria e tij, nderi i tij!” – (Bukhariu) Etj, pa fund.
Kësisoj, le ta dëshmojmë me krenari e dinjitet përkatësinë tonë fetare, nëpërmjet shembullit të jetuar, modelit praktik, duke u bërë thirrës të gjithësisë drejt Islamit të pastër, fesë së All-llahut dhe misionit hyjnor të krejt të dërguarve të Tij!” – ligjëroi ndër të tjera Myftiu.