Myftiu i Shkodrës ligjëroi në tribunën e organizuar nga KB Islame në Ferizaj
“Një natë e madhe dhe e paharruar, në mesin e vëllezërve të mirë në Ferizaj, bashkë me kryetarin e KB Islame, H. Nexhmedin ef. Bajrami, “babain e jetimëve”, H. Halil Kastrati, ilahistin e dashur, H. Adem Ramadani, kënduesin e Kur’anit, H. Avdush ef. Krosa, imamin e nderuar, H. Mustafë ef. Mehmeti dhe dashamirësinë e papërshkrueshme të besimtarëve të shtrenjtë në xhaminë qendrore atje. Allahu jua shpërbleftë!”
Kështu shkruan Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, në një postim në rrjetet sociale, në lidhje me aktivitetin e organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Ferizaj, ditën e hënë, me 20 mars 2023, pas namazit të akshamit, në xhaminë e madhe “Mulla Vesel Guta”.
Në praninë e besimtarëve të shumtë, që kishin tejmbushur xhaminë, brenda dhe jashtë, Myftiu i Shkodrës ligjëroi rreth kuptimeve dhe thelbit të agjërimit të Ramazanit.
Emocione të shumta dhuroi veprimi i humanistit të shquar në trojet shqiptare dhe përtej, Halil ef. Kastrati, si dhe këndimet e të nderuarve H. Avdush Krosa dhe H. Adem Ramadani.
Aktivitetin e përshëndeti edhe Kryetari i KBI Ferizaj, H. Nexhmedin ef. Bajrami dhe imami i nderuar, H. Mustafë ef. Mehmeti.
Më herët, Myftiu zhvilloi edhe një vizitë në selinë e KBI Ferizaj, ku u prit nga Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj, H. Nexhmedin ef. Bajrami me staf.