Myftinia Shkodër vazhdon shpërndarjen e pakove të Ramazanit për shtresat në nevojë

Myftinia Shkodër vazhdon shpërndarjen e pakove të Ramazanit për shtresat në nevojë

Ditën e mërkurë paradite, më 12 prill 2023, Myftinia Shkodër ka vijuar organizimin e veprimtarisë së shpërndarjes së pakove të Ramazanit për shtresat në nevojë.

Falë bashkëpunimit me Shoqatën Humanitare “Jetimët e Ballkanit”, sot janë shpërndarë 200 pako me ushqime dhe detergjentë, për antarët e Shoqatës së të Verbërve Shkodër, familjeve te lagja e Urës së Bunës dhe në fshatin Omaraj, Postribë.

Përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni në prani të medieve tha se: “Myftinia Shkodër në kuadër të muajit të begatë të Ramazanit vazhdon shpërndarjen e ndihmave për shtresat në nevojë, të varfër dhe skamnor, të cilët zënë një hapësirë të veçantë gjatë këtij muaji të agjërimit, si dhe në shenjë humanizimi dhe solidariteti me ta”.

Teologu Halluni u bëri thirrje edhe institucioneve të tjera humanitare, shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit që të kontribuojnë dhe të ndihmojnë shtresat e ndryshme në nevojë, të cilat realisht dhe fatkeqësisht po shtohen dita-ditës.

Myftinia Shkodër do të vazhdojë edhe në ditët e tjera të muajit të Ramazanit, me shpërndarjen e ndihmave të ndryshme te familjet në nevojë, jetimët, etj.