Në BESË..!
Një ditë të bukur vere të fillim shekullit tonë, u ktheva nga studimet në Damask. Ma i miri dhe ma i begati vend. Djepi i qytetërimeve, elitave të dijetarëve përgjatë shekujve, farkëtues i mendimit që ndërton dhe qëndron i palëkundur përballë fanatizmit të verbër, kompleksiteteve të panevojshme, devijimeve…
…
Zakonisht në verë, por edhe ndonjë Ramazan, kur kthehesha për pushime të përkohshme, se si më shihnin. E kuptoja mirë arsyen, edhe pse nuk e trazoja veten për ta menduar, qoftë edhe për pak..!? Nuk më bëhej vonë për asgjë dhe asnjeri në këtë nënqiell, sepse besëlidhjen e kisha larg dhe me njerëz të naltë, që nga realitetet tona dhe të institucioneve që kishim asokohe, ata mund të shiheshin vetëm siç shohim sot, shfaqjen e yllit polar, kur arrijmë ta shohim! (Akoma sot, ashtu shihen, në mos edhe më larg se dikur!?)
…
Pastaj u binda të kthehem në vendlindje, edhe pse, gati-gati ndjej përherë e më shpesh një lloj pendese, por që sot, nuk ka më asnjë vlerë…
Pas një letre zyrtare të dërguar nga Medreseja “Haxhi Sheh Shamia” dhe drejtori i saj, z. Hiqmet Bekteshi, ku më paraqitej kërkesa për të dhënë kontributin si mësues, dukej se rrugëtimi im i ri sapo kishte marrë drejtim…
…
Asokohe jepja mësim në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”. Kur e kujtoj, plot nëntë vite! Vitet 2001-2010 (e kusur), ishin vite që nuk harrohen, për dinamikën e ngjarjeve dhe situatave, në rrugëtimit e mia, si thirrës islam, si hatib, si mësues medreseje, autor librash, por jo vetëm..!
Në shkollë, më kishin ngarkuar disa lëndë, si: arabishten, besimin, historinë islame, hadithin, predikimin, por jo vetëm. Kuptohet, jo njëherazi dhe me kurbën e klasave që lëvizte nga e gjashta në rritje drejt maturës.
Ishin vite që lanë shenjë në memorie. Për shumë e shumë arsye, personazhe, situata e stacione, për të cilat është herët të flas e të shkruaj (ndonëse shumica e asaj që duhet shkruar është kopsitur mirë e bukur në ditarët përkatës), ato ngelën vite për vitrinë!
Vullnetarisht, me miratim zyrtar të Myftinisë Shkodër, që nga vera e vitit 1998, predikoja të xhumave në xhaminë e Tophanës. Më herët kisha nisur të jepja hytben e xhumasë edhe në disa xhami të fshatrave, duke filluar me xhaminë e Bërdicës së Sipërme, atë të Mes-Myselimit, Oblikës, por jo vetëm.
Vite dhe kohra të gdhendura në frymë. Personazhe dhe botë për t’u eksploruar, përtej asaj që lexohet në monografinë time me titull: “Rrugëtime të një hatibi”, botuar në vitin 2008, me rastin e dhjetë vjetorit të shërbimeve në xhaminë e ndërtuar mbi vakëfin e Shaban efendisë, atë të Hafiz Halilit e që, në verën e vitit 1997 e inauguroi Hafiz Sabri Koçi, në prani të një numri jo fort të madh prej banorëve të lagjes, dikur bajrak i parë i Shkodrës, besimtarëve të moshuar e personelit të Myftinisë Shkodër.
Përse u ula të shkruaj këto rreshta, që mesa shoh, më larguan më shumë se e mendoja në këtë hyrje, plot prekje kujtimesh të ngrira?
Çdo të xhuma, teksa ulesha t’i jap prekjet e fundit hytbes së xhumasë, aty në shtëpinë me qera, në kat të dytë, bri shtëpisë së vjetër të gjyshit tim, në zemër të Parrucës, papritur trokiste dera. Zakonisht nuk më vinte njeri në atë kohë. Zakonisht, nuk dilja nga shtëpia që të enjten pasdite. Të xhumanë, kryeja tre orët (ashtu ishte rregulli i asaj dite për hatibët e xhumasë). Zakonisht…
Në derë, si diell ndriçues, shfaqej një burrë i dritshëm, me syze të mëdha, me dy paterica. Mezi hidhte hapat, e megjithatë, merrte mundim të vinte nga shtëpia e tij, jo larg asaj ku banoja, të ngjitej me shumë mundim e të shfaqej në derë, si paralajmërues se koha për t’u nisur drejt xhamisë së Tophanës po afronte.
Uleshin bashkë për gjysmë ore a më shumë. Çfarë nuk flisnim e çfarë nuk ndanim. Ai, rahmet pastë, ishte shenjë në urtësi, shenjë në burrni e qëndrestari përballë komunistëve dhe torturave çnjerëzore të makinerisë së terrorit që kishte pushtuar vendin në një moment dobësie e në pabesi!
Ai, rahmet pastë, ishte besimtar-eulija! Kur më tregonte se si Resulullahu (alejhis-selam) i kishte ardhur te kryt e shtratit, disa herë pasi kishte përfunduar në koma nga torturat e xhelatëve; fytyra i merrte pamje dielli dhe, nuk i përshkruhej bukuria e buzëqeshjes që merrte fytyra e tij fisnike në ato momente fatlume…
…
Pastaj, bashkë dilnim drejt xhamisë e bashkë ktheheshim… Kështu, derisa një natë, më lajmëruan se zotnia e tij ishte shtrirë për të mos u ngritur më në këtë botë…
…
Atë natë që e lanim trupin e tij pa jetë, bashkë me H. Faik Zaganjorin, ndjeja një dhimbje të madhe, që shoqëruar me dashninë dhe respektin që kisha për zotninë e tij, veçse e madhëronte edhe më shumë në sytë e mi, imazhin dhe portretin e të shtrenjtit, “Gjyshit”, Zotni Abdullah Salihi…
…
Sot, sa herë kaloj pranë shtëpisë së tij, ndjej trokitjen e qetë të patericave të tij, që nuk shqetësonin njeri, edhe heshtjen e bënin të ngrihej në këmbë, para rrezatimit të imazhit të tij dhe çfarë përfaqësonte…
Ishte Burrë, prej atyre që na bekon Zoti me shfaqjen e tyre, për të forcuar në Besën e Tij!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 6 qershor 2023