Paraditën e së enjtes, më 1/6/2023, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, pranoi dhuratën e arkivit personal të prof. Muamer Vuci, koleksionin prej 18 fotosh të vjetra që kanë fiksuar fragmente të spikatura nga përcjellja e haxhilerëve shkodranë në fillimet e shekullit 20.
Myftiu e falënderoi zotërinë e tij, mësuesin veteran dhe intelektualin e mirënjohur, z. Muamer Vuci, njëheraz edhe kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Vendet Arabe, për këtë dhuratë të çmuar që i shtohet arkivit të Myftinisë Shkodër dhe që do të përdoret për ekspozim me rastin e aktiviteteve të përvitshme që Myftinia Shkodër organizon me rastin e trajnimit dhe përcjelljes së haxhilerëve të qytetit të Shkodrës.
Gjatë takimit të përzemërt u diskutua rreth traditës së vjetër shkodrane të përcjelljes së haxhilerëve dhe u ra dakort që të punohet për ngritjen e një memoriali në përkujtim të kësaj tradite si dhe emërtimin e një rruge në nder të haxhilerëve shkodranë ndër shekuj.