“Organi i zyrës së Ipeshkvisë së Kosovës shkruante për periudhën osmane se Halifi dhe Porta e Lartë i kushtuan rëndësi të madhe tolerancës fetare, në kohën kur Evropa mesjetare ishte përgjakur në fanatizmin fetar të krishterë.
Volteri, edhe si kundërshtar i Islamit, pohonte se modeli islam i rregullimit të jetës paraqiste shembullin më të mirë të tolerancës ndërfetare.
Shumë kohë më parë Patriarku grek Michael III (1167-1177) shkruante: ‘Më parë do të pranoja një mysliman për udhërrëfyes timin në çështje të jashtme, se një latin të më dominojë në çështje të shpirtit. Sepse, nëse jam nënshtetas i myslimanit, së paku nuk do të më detyrojë të pranoj besimin e tij…’.
Duke bërë fjalë për tolerancën shqiptare në kohën e Perandorisë, Kliv Ponting vështronte: ‘Lëvizja nacionaliste shqiptare ishte e vetmja që drejtohej kundër vendeve si Mali i Zi, Serbia, Bullgaria e jo kundër osmanëve.’
Në këtë vështrim, në pyetjen e një gazetari, Thierry Fabre tha: ‘Feja myslimane u tregua shumë tolerante… myslimanët shqiptar nuk përfituan kurrë nga statusi i tyre’, se: ‘Perandoria otomane – janë Shtetet e Bashkuara të Mesjetës’ dhe se: ‘me daljen nga perandoria otomane, popujt ballkanikë u bënë shovinistë’.
Nisur nga kjo, ne duhet të pyesim veten: çka do të kishte ngjarë me shqiptarët sikur ‘pushtuesi 500-vjeçar’ të ishte cilido shtet i fqinjësisë shqiptare, a do të flitej më gjuha shqipe në këto anë të Ballkanit? Çfarë ngjau me paraardhësit e tyre ilirë në Slloveni, Kroaci, Bosnjë, Mal të Zi, Maqedoni, Thrakë etj? Pse nuk kishte asnjë shkrim shqip para Perandorisë në këto troje? …”.
Hajrudin S. Muja, “Në fenë e të parëve”, LOGOS-A, Shkup, 2013, f. 33-34.