Nata e Madhe e Israsë dhe Miraxhit, simbol i rimëkëmbjes së madhe islame!
Nata e Madhe e Israsë dhe Miraxhit, që përkon me datën 25 Rexheb 1445 | 6 shkurt 2024, është pa dyshim një moment reflektimi për të kuptuar forcën e besimit dhe mbështetjen e Allahut të Madhëruar në jetën e të Dërguarit të Tij, Hz. Muhammedit (a.s) dhe në marrëdhënie me çdo besimtar.
Është Nata e mrekullive të mëdha dhe të panumërta, nëpërmjet të cilave, para syve tanë shënohen disa momente kulminante, që na mbajnë të lidhur pas bindjes se çdo gjë në këtë është në dorën e Zotit Një; Ai është Mëshiruesi Mëshirëbërësi, që nuk e braktis besimtarin dhe që e lartëson atë, edhe nëse krejt bota ngrihen kundër tij.
Mesazhe të shumta, që i nevojiten besimtarëve, u dhanë nga ligjëratat dhe hytbet e kësaj jave, të xhumanë, më 2 shkurt 2024, në të gjitha xhamitë e Shkodrës.
Në xhaminë e Parrucës, imami i saj, H. Naim Drijaj dha mesazhe të rëndësishme që lidhen me edukimin e besimtarit dhe nxitjen e durimit dhe bindjes se Allahu nuk e braktis besimdrejtin e përkushtuar.
Nga hytbeja e xhumasë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, theksoi se është me rëndësi për rininë tonë të marrë bajrakun e Hz. Muhammedit (a.s), për të ecur përpara, si prijës të elitave, si dhe duke u distancuar nga thirrjet dhe propaganda e idhujtarisë moderne, imoralitetit e mosbesimit.
Në xhaminë “Ebu Bekër”, imami i saj, H. Idmir Plaku, shpjegoi etapat e rëndësishme të ngjarjes së Israsë dhe Miraxhit, si mësime me dobi për jetën e besimtarëve.
Ndërkohë, nga minberi i xhamisë së “Dy Vajzave”, imami i saj, H. Lavdrim Hamja, vuri theksin tek rëndësia e Mesxhidi Aksasë në jetën e muslimanëve, xhamia e shenjtë, që u zgjodh nga Krijuesi i gjithësisë si kible e parë për muslimanët dhe vendtakim i krejt të dërguarve të Allahut, përgjatë historisë së njerëzimit, nën drejtimin e Hz. Muhammedit (a.s).
Mesazhe të shumta u dhanë në këtë ditë të bekuar, sikurse u ftuan besimtarët drejt agjërimit, përsosjes së adhurimeve dhe lutjeve në këto ditë të begata të kësaj periudhe të bekuar në prag të Muajit Ramazan.
Hytbeja e plotë e mbajtur nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari në xhaminë e Parrucës.