Myftiu i Shkodrës: “Nata e Israsë dhe Miraxhit, reflektim drejt rimëkëmbjes!”
Me ftesë të Kryetarit të Mexhlisit të Bashkësisë Islame të Tuzit, në Mal të Zi, Hfz. Bajram Dizdarevic , Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në organizimet për nder të Natës së Madhe të Israsë dhe Miraxhit.
Në ligjëratën e tij, Myftiu Sytari u ndal tek mirësitë e mëdha dhe simbolikat e veçanta të kësaj mrekullie, nëpërmjet të cilës u forcua zemra e të Dërguarit të Allahut, Hz. Muhammedit (a.s) dhe u dëshmua botërisht madhështia e Vulës së të dërguarve, të cilët u falën nën drejtimin e Zotërisë së bijve të Ademit në xhaminë e shenjtë në Kudsi Sherifë.
Myftiu iu drejtua të rinjve të pranishëm që të djehen krenarë me Islamin e tyre, të ndjekin dritën e Resulullahut (a.s) dhe me dinjitet ta dëshmojnë veten, si elitë e vendit, në shërbim të paqes sociale, harmonisë dhe mbi të gjitha në drejtim të ruajtjes dhe forcimit të frymës së vëllazërisë islame dhe asaj kombëtare.
Aktiviteti u përshëndet nga Kryeimami i Tuzit, Islam ef. Pepiç, që uroi besimtarët me rastin e Natës së Madhe, sikurse shprehu kënaqësinë e tij për praninë e Myftiut të Shkodrës në mesin e besimtarëve në Tuz.
I pranishëm ishte edhe Atasheu i Ambasadës së Turkisë, dr. Bahatin Akbash.
Ndërkohë, ligjërata e Myftiut Sytari, u përkthye edhe në gjuhën boshnjake, nga Mr. Nadir Bajraktari.
Pas aktivitetit në xhami, bashkëbisedimi vazhdoi edhe në sallën e pritjes, me ç’rast u këmbyen edhe dhuratat e rastit.