Paraditën e së shtunës, më 12 nëntor 2016, Myftinia Shkodër, organizoi një tribunë shkencore në kuadër të promovimit të veprës së Imam Buhariut, përmbledhja e së cilës është përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën shqipe.
Imamë, intelektualë, drejtues të shoqatave islame, të rinj dhe besimtarë të shumtë shprehën interesimin e tyre për këtë aktivitet, që vjen edhe në kuadër të përkujtimit të 26 vjetorit të rihapjes së xhamisë së parë, më 16 nëntor 2016, pas periudhës së gjatë të persekutimit gjysëmshekullor mbi Islamin dhe muslimanët në Shqipëri.
Në këtë aktivitet referuan, teologu Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”, Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës Shkodër, teologu Ruzhdi Plangaj, imam i xhamisë Kiras, si dhe përshëndeti aktivitetin, H. Edmir Smajlaj, Myfti i Malësisë së Madhe.
Gjatë kësaj tribune shkencore, u evidentuan vlerat dhe madhështia e Imam Buhariut, si një ndër personalitetet më të shquara të historisë islame, vepra e të cilit mbetet pikë referimi për mbarë ymetin islam.
Imami i shquar dhe muhadithi më i famshëm i shekujve, Muhammed ibn Ismail El-Buhari, u lind në vitin 194 h., në qytetin e Buharasë, që sot bie në Republikën e Uzbekistanit.
Arritja kryesore e aktivitetit të tij dituror, është pa dyshim libri i tij: “Es-Sahih”, për shkrimin e të cilit na tregon: “E kam shkruar “Sahihun” në një periudhë prej 16 vjetësh, hadithet e të cilit i kam nxjerrë nga gjashtëqind mijë hadithe. Ky libër është argument në mes meje dhe All-llahut të Madhëruar”
Imam Buhariu u lind ditën e xhuma, pas namazit të xhumasë në të trembëdhjetën ditë të muajit Shevval, në vitin 194 h. dhe vdiq natën e shtunë, në prag të namazit të jacisë, natën e Fitër Bajramit. U varros pas namazit të Bajramit, të shtunën e 1 Shevvalit, në vitin 256 h. Jetoi 62 vjet, pa 13 ditë.
Të pranishëmve në këtë aktivitet, Myftinia Shkodër i dhuroi botimin e përmbledhjes “Sahihul-Buhari”.