“Ja Resulall-llah, e kam gjuhën e mprehtë me familjen time…”

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut, Zotit të vetëm të botëve, i Cili urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “Kush bën ndonjë të keqe ose e ngarkon veten, pastaj kërkon falje tek All-llahu, ai e gjen All-llahun falës dhe mëshirues.”[1]

Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), që u dërgua mëshirë për të gjitha krijesat. Transmetohet se Ibni Omeri (r.a) ka thënë: “Ia kemi numëruar Resulull-llahut (a.s) në një ndenje të vetme njëqind herë shprehjen: Rabbigfir li ve tub alejje inneke entet-Tevvaburr-Rrahim[2][3]

Të nderuar vëllezër besimtarë,

Javën që shkoi folëm mbi kuptimet e namazit dhe rëndësinë që ka thellimi në kuptimin e udhëzimeve të fesë islame, në mënyrë që të mos keqpërdorim argumentet e saj dhe mos ta jetojmë mrekullinë e besimit vetëm si shfaqje e jashtme dhe lëvizje mekanike pa shpirt, pa arsyetim, pa largpamësi e butësi, për të cilën jemi urdhëruar ta përdorim në çdo gjë.

Sot, dua të ndalem në një tjetër argument, në rrugën e lartësimit të njeriut në gradën e kërkimit falje nga Zoti i gjithësisë, për gabimet dhe gjynahet e ndryshme, që bën në jetën e përditshme.

Po, të dashurit e mi, sepse të kërkosh falje nga Zoti i gjithësisë, në vetminë tënde, në veçimin tënd me All-llahun e Madhëruar, është gradë e lartë besimi, që nuk e arrin kushdo, sidomos ai që e nënvleftëson si veprim!

T’i kërkosh falje Zotit tënd, është një prej gradëve më të larta të besimit. Është një ndjenjë e lartë përulësie dhe bindjeje ndaj All-llahut, që të tërheq vëmendjen sa herë gabon a devijon në jetë, për t’u kthyer në origjinë, në udhëzim, në “siratul-mustekim”! (Dikush gabon e bën gjynahe në vazhdimësi dhe ndjehet i lumtur në batakun e së keqes, teksa zemra e tij njolloset pafundësisht nga e zeza e gjynahut, deri në një moment, kur zezohet dhe gjynahu i bëhet natyrë, traditë, kulturë!? Atë nuk ka kush ta shpëtojë nga kthetrat e gjynaheve, përveç mëshirës së All-llahut e butësisë së Tij ndaj krijesave të Tij!)

Dëgjoni me vëmendje këtë ngjarje, ju dëgjoftë zemra dhe mendja!

Tregon Ali ibn Rebia: Më mori me vete Ali ibn Ebi Talibi (r.a) dhe ecëm deri në një vend të caktuar, ku ngriti kokën e tij nga qielli dhe tha: “All-llahummegfir li dhunubi, innehu la jagfirudh-dhunube ehadun gajruke.”[4] Pastaj u kthye nga unë dhe qeshi. I thashë: O prijës i besimtarëve, i kërkove falje Zotit tënd dhe u solle nga unë duke qeshur? Tha: Një herë, më mori Resulull-llahu me vete dhe ecëm deri në këtë vend, ku ngriti kokën nga qielli dhe tha: All-llahummegfir li dhunubi, innehu la jagfirudh-dhunube ehadun gajruke.” Pastaj u kthye nga unë dhe qeshi. I thashë: O i dërguar i All-llahut, i kërkove falje Zotit tënd dhe u solle nga unë duke qeshur? Tha: “Qesha nga e qeshura e Zotit tim, nga habia e Tij për robin e Tij, i cili e di se askush nuk i fal gjynahet përveç Tij!”[5]

Pra, ka shumë rëndësi të dijmë dhe të kuptojmë se gabimet a rrëshqitjet e ndryshme që bëjmë në jetë, nuk ka njeri, melek a xhin në botë që të na i falë, përveç Krijuesit të gjithësisë! Njeriu nuk ia fal njeriut gabimet e gjynahet! Njeriu ia bën hallall tjetrit dhe ia fal gabimin në hak të tij, por nuk ka aftësi dhe mundësi të falë gjynahun, të fshijë gjurmën dhe të keqen e tij, për të cilën njeriu mund të pendohet, për të mos e përsëritur më! Sepse njeriu është i kufizuar, është i vogël, është i dobët! As profetët nuk kanë aftësinë dhe mundësinë e faljes së gabimeve a gjynaheve të krijesave të Zotit! Absolutisht, jo! As sahabët, as tabiinët, as dijetarët e mëdhenj, as myftilerët, as Shejkhul-Islamët, askush në botë! Kurrësesi! Nuk ka logjikë, nuk ka kuptim!

Prandaj, të kuptosh se vetëm Zoti, mund të ta falë gabimin dhe të ta ndreqë zemrën, ta udhëzojë mendjen dhe ta drejtojë moralin tënd, është një gradë e lartë besimi, që jo kushdo e ka rizk!

Të dashur të pranishëm,

Ka njerëz sot, që e neglizhojnë istigfarin (kërkimin e faljes nga Zoti), e bëjnë një gjë kalimtare e pa rëndësi. Për çdo gjë të gabuar që bëjnë, po iu kërkua llogari, menjëherë thonë: “Na fal Zoti, na fal, nuk ka problem!”

Është e vërtetë që Zoti na fal, për çdo gabim e gjynah, përveç shirkut, por njeriu nuk duhet të abuzojë me gjynahet dhe gabimet e tij nën justifikimin se Zoti fal!

“Pije një gotë, se të fal Zoti!”, “Zbuloji hiret se është moda dhe flasin njerëzit, se fal Zoti!”, “Mos agjëro se kemi një takim me rëndësi, se fal Zoti, e zëvendëson një ditë tjetër!”, “Mos jep zekat, se është krizë ekonomike e duhet të ruash, se të fal Zoti!”, “Fole ndonjë fjalë të ndytë, bëhu burrë, se të fal Zoti!”, “Eja në party, je akoma i ri, se të fal Zoti!”, “Mbete tërë ditën në xhami! Rri ndonjë ditë pa u falë, se të fal Zoti!”, “Mos e lër pa shtru verë e birrë në dasëm, se i mbet hatri njerëzve, se të fal Zoti. Mos u korit!”, “Bëje këtë e bëje atë, se të fal Zoti!”, e sa e sa justifikime e arsyetime të tilla të sëmura dëgjojmë ditë pas dite në realitetet tona!?

Natyrshëm që Zoti fal! Natyrshëm që nuk e humbim shpresën në mëshirën dhe faljen e Tij! Por, mbi të gjitha, duhet të kontrollojmë ritmin e zemrës dhe ecurinë e nefsit në rrugën e udhëzimit, jo të jetojmë pa bosht, pa identitet, pa një drejtim!

Muslimani nuk konsumon alkool! Muslimani nuk shoqërohet me femra të huaja! Muslimani nuk e ha mishin e derrit! Muslimani nuk vjedh! Muslimani nuk është imoral! Muslimani nuk i bën shirk All-llahut; dmth, nuk beson te mrekullibërja e gurit a e drurit, as te shenjtëria e njeriut a mrekullibërja e tij, kushdo qoftë ai (edhe vetë profetët e Zotit), VETËM tek All-llahu i Madhëruar dhe vetëm me lejen dhe përcaktimin e Tij!

Vetëm Zoti fal, Ai i bën mrekullitë në Duart e të dërguarve të Tij, misioni dhe shfaqja e të cilëve është mbyllur me Hz. Muhammedin (a.s)! Muslimani nuk gënjen! Njëmijë Hz. Isa, Hz. Musa e Hz. Pejgamber, të mblidhen e të përpiqen të ngjallin një të vdekur, që nuk e ka lejuar a paracaktuar All-llahu, nuk e bëjnë, nuk e ngjallin! Kështu na kanë mësuar vetë ata. Çdo gjë e kanë bërë me lejen e Zotit, duke ia treguar e dëshmuar njerëzve, duke i udhëzuar drejt Tij!

Mos u gënjeni nga të tjerët! Mos toleroni t’jua prishin marrëdhënien me Zotin dhe fenë, sepse ai që të tërheq për dore drejt harameve me justifikimin se “Zoti fal”, në fakt nuk e bën se dëshiron faljen tënde; ai po të tërheq drejt devijimit dhe prishjes së besës! Kujdes të madh me fëmijët dhe rininë, All-llahu ju bëftë mburojë nga shejtani dhe partizanët e tij besnikë, që sa të shumtë janë sot!

Të dashurit e mi,

Sahabiu Ebu Hurejra (r.a) tregon se Resulull-llahu (a.s) transmeton nga Zoti i tij[6], që ka thënë: “Një person bëri një gjynah dhe tha: O Zot ma fal mua gjynahun tim! I Madhëruari tha: “Robi im bëri një gjynah dhe e diti se ka një Zot që e fal gjynahun dhe që ndëshkon për të!” Pastaj, ai person sërish bëri gjynah dhe tha: O Zot ma fal mua gjynahun tim!” I Madhëruari tha: “Robi im bëri një gjynah dhe e diti se ka një Zot që e fal gjynahun dhe që ndëshkon për të!” Pastaj, ai person sërish bëri gjynah dhe tha: O Zot ma fal mua gjynahun tim!” I Madhëruari tha: “Robi im bëri një gjynah dhe e diti se ka një Zot që e fal gjynahun dhe që ndëshkon për të! Vepro ç’të duash[7] se të kam falur!”[8]

Kjo është madhështia e faljes së All-llahut! Njeriu gabon, rrëshqet, harron, bën gjynah, por, në momentin e parë që ndërgjegja nis dhe e vret, ai kërkon falje dhe pendohet! Këtë njeri, Zoti e do, e pranon, e fal, e mëshiron! Besimtari i vendosur, nuk kthehet më në gabimin, për të cilin ka kërkuar falje! Por, ndodh që kthehet dhe sërish kërkon falje! Ai jeton në një luhatje të madhe. Gabon, pendohet, sërish gabon e gabon e sërish kërkon falje dhe pendohet; All-llahu me mëshirën e Tij, e fal!

Mirëpo, tërë ky proces, nga gabimi tek falja dhe ndjenja e çlirimit nga faji, dëshmon lartësimin e besimtarit në gradën e meritimit të faljes dhe mëshirës së All-llahut të Madhëruar!

Të dashur të pranishëm,

Nëpërmjet këtij mesazhi të përjavshëm, dua të ftoj veten dhe ju, që ta shtojmë istigfarin në jetën tonë; të kërkojmë sa më shumë falje. Edhe kur mendojmë se nuk kemi gabuar, sepse shtimi i istigfarit është një lloj përmendjeje e All-llahut, ndër më të lavdëruarat dhe tërheqëse e mbarësisë dhe mirësisë në jetën tonë!

Tregon sahabiu Hudhejfe (r.a): Iu ankova Resulull-llahut (a.s) për gjuhën time të mprehtë. Më tha: “Ku je me istigfarin? Unë i kërkoj falje All-llahut 100 herë në ditë!”[9](Në një transmetim tjetër: Erdha tek profeti (a.s) dhe i thashë: Ja Resulall-llah, e kam gjuhën e mprehtë me familjen time dhe kam frikë se do më shpjerë në xhehnem…)

Shtimi i istigrafit në përditshmërinë tonë do të thotë se jemi një brez, që e duam All-llahun dhe druhemi të na mashtrojë nefsi drejt asaj që Atij nuk i pëlqen prej nesh! Kjo do të thotë se, shtimi i istigfarit, dëshmon për një shoqëri besimtare, të cilës i vijnë të mirat nga Zoti prej nga nuk pritet… Dhe, për këtë dëshmon më së miri Kur’ani Famëlartë, teksa na tregon insistimin e Hz. Nuhut (a.s) me popullin e tij: [Unë u thashë: “Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtetë falë shumë; Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj.”][10]

Të është ngushtuar rizku? Shtoje istigfarin!
Ankon sjelljen tënde jonormale? Shtoje istigfarin!
Ka thatësirë? Ejani të shtojmë istigfarin!
Ankon arrogancën e gruas, kokëfortësinë e fëmijëve, ç’ekuilibrimin e nervave tuaja? Shtoni istigfarin!
“Ku je me istigfarin? Unë i kërkoj falje All-llahut 100 herë në ditë!”[11]

E, natyrshëm, unë nuk do ju them: Po ne, sa herë duhet t’i kërkojmë falje All-llahut në ditë?…

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Plumbit)
Shkodër, më 18 mars 2016.


[1] Kur’ani, En-Nisa: 110.
[2] Në shqip: “O Zot më fal mua dhe pranoje pendimin tim, vërtetë Ti je pranues i pendimit dhe Mëshirëbërës.”
[3] Transmetuar nga Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, nga Ibni Omer (r.a).
[4] Në shqip: “O Zot m’i fal gjynahet e mia, përveç Teje askush nuk i fal gjynahet.”
[5] Transmetuar nga Ibn Ebi Shejbe dhe Ibn Menia, nga Ali ibn Rebia (r.a).
[6] Në hadithin kudsi. (Shënim imi. M.S.)
[7] Para kërkimit falje.
[8] Transmetuar nga Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a).
[9] Transmetuar nga Ebu Nuajm në “El-Hilje” dhe Ibn Ebi Shejbe, nga Hudhejfe (r.a).
[10] Kur’ani, Nuh: 10-12.
[11] Transmetuar nga Ebu Nuajm në “El-Hilje” dhe Ibn Ebi Shejbe, nga Hudhejfe (r.a).

“Ja Resulall-llah, e kam gjuhën e mprehtë me familjen time…”