Mbrëmje Fetare në xhaminë e Urës së Bunës
Ditën e shtunë, më 22 nëntor 2024, pas faljes së namazit të akshamit, Myftinia Shkodër organizoi në xhaminë e Urës së Bunës, një mbrëmje fetare me rastin e kthimit nga vendet e shenjta të disa besimtarëve dhe imamëve nga udhëtimi i paharruar i Umres së parë në jetë.
Pas leximit të disa ajeteve të Kur’anit Famëlartë nga një nxënës i mejtepit të xhamisë dhe fjalës moderuese të teologut Arben Halluni, fillimisht përshëndeti Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili në fjalën e rastit, ndër të tjera theksoi, se: “Umrexhitë dhe haxhilerët janë të përzgjedhurit e Allahut (xh.sh), për të vizituar vendet më të mira të kësa bote gjatë jetës së tyre, Qaben e Madhërueshme dhe Medinen e Pejgamberit (a.s). Ky udhtëim është një mundësi e mirë për t’u lutur për veten e tyre, për familjen dhe për krejt besimtarët”.
Ndërkohë, Myftiu në një moment të veçantë të bisedës së tij, ftoi muezinin e xhamisë së Urës së Bunës, z. Altin Bajrami, të cilit i bëri një surprizë emocionuese për të dhe për krejt të pranishmit kur lajmëroi se zotërisë së tij i ofrohet një Umre dhuratë nga Myftinia Shkodër si vlerësim për shërbimet e tij vullnetare ndër vite për xhaminë e Urës së Bunës.
Më pas, mbajtën nga një fjalë rasti dhe njëkohësisht ndanë përshtypjet dhe emocionet e Umres së tyre, H. Edmir Smajlaj, Myfti i Malësisë së Madhe, H. Ridvan Luzaku, imam i xhamisë së Urës së Bunës dhe H. Enes Alushi, imami i xhamisë së fshatit Zues.
Të mbushur me emocione dhe me lot gëzimi, ata u shprehën tejet të lumtur që arritën të kryejnë Umren, teksa edhe përshkruan ndjenjat e tyre plot pathos.
Umrexhinjtë thanë se gjatë qëndrimit në vendet e shenjta, në Mekë dhe në Medinën e Ndriçuar, kanë pasur rast të bëjnë dua të shumta për veten, familjen, për vendin dhe për mbarë ymetin islam.
Në fund të aktivitetit, të pranishmit ndanë emocionet dhe kënaqësinë e pjesëmarrjes me hurmat e ardhura nga Arabia Saudite, si dhe numrin e ri të gazetës “Udha Islame”, botim i Myftinisë Shkodër, etj.