Myftiu i Shkodrës lutet për bekime dhe mbarësi për çdo shqiptar
Nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në Instagram, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, pas ceremonisë simbolike të ngritjes së flamurit në sheshin para Bashkisë, ku dha dhe një intervistë për mediat e pranishme, bëri një urim të veçantë, për këtë ditë duke u lutur për mbarësi dhe bekime për çdo shqiptar.
Myftiu vuri theksin te domosdoshmëria e reflektimit rreth marrëdhënieve që duhet të ketë gjithsecili prej nesh me tokën, me trashëgiminë, me vlerat dhe marrëdhëniet që kemi me njëri tjetrin.
Ndër të tjera, Myftiu Sytari shkruan: “… Ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete…”, – mjafton ky ajet kur’anor, i 13-ti i sures El-Huxhuratë, për të na ftuar drejt një reflektimi të thellë rreth raporteve që kemi me tokën tonë, me kombin, me vlerat e trashëgiminë, me simbolet kombëtare dhe përkushtimin që e kemi për borxh ndaj erës së gjyshërve e baballarëve, por edhe për djepin e fëmijëve dhe atyre që do vijnë, që ky vend e kjo tokë të lulëzojë e të shquhet si nishan i të mirës, si shembull i pastërtisë e si model i zhvillimit!
Allahu e ruajt dhe e bekoftë çdo pëllëmbë toke shqiptare, shqiptarët, kudo qofshin, dashamirët tanë dhe e çliroftë vendin dhe popullin nga çdo lidhje e vartësi e pandershme ndaj kujtdo e me këdo që na do skllevër!”
Myftinia Shkodër uron ditën e flamurit dhe lutet për çdo të mirë dhe bekime për shqiptarët kudo që janë.