Tryezë pune rreth Haxhit 1446/2025
Paraditen e së mërkurës, më 27 nëntor 2024, Zyra e Haxhit pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë zhvilloi një tryezë pune me një grup myftilerësh të zonës së Veriut.
I pranishëm në këtë takim ishte nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Laurent Luli, i cili pasqyroi punën dhe angazhimin e Zyrës së Haxhit dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në përgjithësi për mbarëvajtjen dhe organizimin me sukses të Haxhit ndër vite dhe veçanërisht për përpjekjet e vazhdueshme për suksesin e procesit të regjistrimit për Haxhin e vitit 1446/2025.
Gjatë këtij takimi u vu theksi te hapat që po ndërmerren për garantimin e zhvillimit me sukses të Haxhit 1446/2025. U prezantua dhe qarkorja e Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu drejtuar Myftilerëve në lidhje me regjistrimet për Haxhin 1446/2025.
U dhanë udhëzime, që në hytbet e javëve në vazhdim, duke nisur nga xhumaja e datës 29 nëntor 2024, besimtarët të lajmërohen për detajet që lidhen me regjistrimet për Haxhin e vitit 1446/2025.
Myftilerët e pranishëm dhanë mendimet, përshtypjet e besimtarëve dhe sugjerimet e ndryshme për mbarëvajtjen e Haxhit të ardhshëm.
Myftinia Shkodër lajmëron besimtarët e interesuar për kryerjen e Haxhit, që regjistrimet sapo kanë filluar.
Regjistrimet për Haxhin 1446/2025 përfundojnë, më datë 13 janar 2025.
Jeni të ftuar që çdo ditë pune të kontaktoni pranë zyrave të Myftinisë Shkodër.