Myftiu: “Kemi nevojë ta kthejmë Zotin në vëmendjen e fëmijëve tonë!”

Myftiu: “Kemi nevojë ta kthejmë Zotin në vëmendjen e fëmijëve tonë!”

Nga xhamia e Parrucës, në hytben e kësaj xhumaje, më 22 nëntor 2024, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari ka folur fillimisht për situatën e rëndë dhe fenomenet negative që ka kapluar shoqërinë shqiptare, si vrasjet kriminale, droga, shthurja morale, etj, duke bërë thirrje për kthim tek Zoti Fuqiplotë dhe vlerat e trashëguara nga baballarët në shekuj.

Ai u ndal edhe për çështje të tjera, siç është kërkesa e vazhdueshme e Myftinisë për vendosjen e besimit fetar si lëndë në arsimin shqiptar.

“Fëmijë që vrasin njëri-tjetrin, djem të rinj që vrasin njëri-tjetrin, përhapja në masë e lajmeve të zeza, ku droga, bimët narkotike, krimi, llahtaria, përhapen çuditërisht në këtë vend. Pastaj lexon për një djalë të ri a një vajzë të re që i ka dhënë fund jetës; vetëvrasja! E ku ka gjynah më të madh! Pastaj i sheh me radhë nga kryeministri i vendit, ministra, deputetë, analistë, të cilët marrin edhe bëjnë analiza se kush është fajtori. Sheh një tendencë të çuditshme për të reklamuar përherë e më tepër devijimet gjinore, sëmundjet psikike dhe psikopatinë…

Thirrja (për vendosjen e lëndës fetare në shkolla) unë e kam bërë vite e vite më parë në sheshin e besimit, në sheshin e namazgjasë. Është një kërkesë që ia kemi bërë qeverisë së kaluar dhe që nuk e ka marrë për bazë. Kjo është një kërkesë e shtrenjtë për të cilën kryeministri i këtij vendi ka dhënë një premtim publik se do të realizohet dhe ishte një ditë shumë e gëzueshme për ne, por ngeli një tullumbace boshe dhe një premtim i parealizuar. Gjithsesi unë jam shumë i bindur se ky kryeministër e realizon një gjë të tillë. Kemi nevojë ta kthejmë Zotin në vëmendjen e fëmijëve tonë.

Çfarë do thonë nesër shqiptarët pas 100 viteve? A do kenë më baballarë? Kush do jenë baballarët e tyre të kombit? Kush do jenë? Burra e gra me tatuazhe që i këndojnë çdo ditë drogës e krimit?”

Ndërkaq, Myftiu gjatë hytbes ka përcjell mesazhe edhe për Ditën Kombëtare të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ku ka vlerësuar kontributin e burrave të kombit shqiptar, duke veçuar edhe shkodranin H. Daut Boriçi!

“Më 22 nëntor të 2024 për herë të parë ne shqiptarët përkujtojmë ditën e alfabetit. Ejani të kujtojmë babën e abetareve në këtë tokë e në këtë qytet që e ka bekuar Zoti me elitën e hoxhallarëve të kombit shqiptar, Daut Efendi Boriçi. Më e pakta do të kisha sugjeruar që këshilltarët e kryetarit tonë të bashkisë, t’i kishin thënë zotërisë së tij që fjalia e shkruar në 1886 nga Daut Efendi Boriçi “Xen me shkrue shqip”, do ishte më e denjë për t’u vendosur në çdo murale e në çdo shkollë, madje edhe në krye të bashkisë. Ka një tendencë makiaveliste dhe të çrregulluar mendërisht, për të mbjellë simbole sataniste, imorale, si dhe një tendencë për reklamimin masiv të shthurjes morale, intelektuale dhe kombëtare. Ka një tendencë të shthurur për zëvendësimin e fesë dhe largimin e saj nga vëmendja e njerëzve, dhe shitjen e krejt kësaj zallamahie dhe kësaj katrahure, si model zhvillimi. Kjo do të thotë së ky është thelbi i degradimit të kombit!”

“Zoti e ruajt Shkodrën nga kthetrat e të përdalëve dhe e ruajt Shkodrën nga makiavelistët dhe nga politikat e degradimit dhe ç’bërjes dhe na bëftë prej atyre që i dalin për zot vlerave tona!”, ka përfunduar, mesazhet e tij, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari në hytben e kësaj xhumaje në xhaminë e Parrucës.