Imam Ndriçim Sulejmani mban hytben e xhumasë në xhaminë e Plumbit

Imam Ndriçim Sulejmani mban hytben e xhumasë në xhaminë e Plumbit

Imam Ndriçim Sulejmani mban hytben e xhumasë në xhaminë e Plumbit

E xhumaja e ditës 8 gusht 2025 ishte shumë e veçantë për besimtarët frekuentues të xhamisë së Plumbit.

Me ftesë të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i ftuar special për të mbajtur hytben e xhumasë në xhaminë e Plumbit ishte Imam Ndriçim Sulejmani (Myfti i Shkodrës, 2006 – 2010).

Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve të pranishëm, Imam Sulejmani u përqendrua te rëndësia që ka përkujdesja e besimtarit për të ruajtur mënyrën e komunikimit dhe në mënyrë që ajo çfarë del gjuha e tij të jetë ndërtuese, ftesë drejt paqes dhe vlerë e shtuar në shoqëritë njerëzore.

Gjatë ligjërimit të tij, Imam Ndriçim Sulejmani, solli argumente të bollshme nga Kur’ani dhe Trashëgimia e Hz. Muhammedit (a.s), nëpërmjet të cilave tërhoqi vëmendjen e besimtarëve për të shfrytëzuar çdo mundësi që nëpërmjet fjalës të përhapin të mirën në mesin e njerëzve, të ruhen nga çdo detaj i të keqes, përçarjes, fyerjes, e të ngjashme. Ai theksoi se, fjala ka një peshë shumë të madhe në fenë islame dhe se i Dërguari i Allahut, Hz. Muhammedi (a.s) e mësoi sahabiun e dashur, Hz. Muadh ibn Xhebel (r.a) që të jetë i vëmendshëm me çdo fjalë që flet, duke u kthyer kështu në një mësim shumë të rëndësishëm për mbarë ymetin islam deri në ditën e fundit.

Pas përfundimit të hytbes së xhumasë, besimtarët e pranishëm u përshëndetën me Imam Ndriçim Sulejmanin, duke i uruar mbarësi dhe duke shprehur falënderimet e tyre për praninë e tij në këtë të xhuma të begatë.