
Skautistë nga Firence vizitojnë xhaminë e Parrucës
Paraditen e sotme, e mërkurë, më 6 gusht 2025, një grup studentësh skautistë nga zona e Firences së Italisë, të shoqëruar nga dom Dritan Boka, zhvilluan një vizitë miqësore në xhaminë e Parrucës në Shkodër.
Kjo vizitë realizohet në kuadër të nismave ndërfetare dhe kulturore që synojnë ndërtimin e urave të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet komuniteteve fetare dhe njohjen me njëri-tjetrin.
Studentët skautistë i priti përgjegjësi i rinisë pranë Myftinisë Shkodër, H. Ervil Kuçi, i cili fillimisht i njohu vizitorët me historikun e xhamisë së Parrucës, rolin e saj në komunitet, si dhe u foli gjithashtu për parimet bazë të Islamit.
Vizitorët nga Firence bënë pyetje të ndryshëm rreth fesë islame, adhurimeve të saj, tolerancës, harmonisë, martesës në Islam, etj, ku H. Kuçi dha përgjigjet përkatëse, duke shpjeguar pozitën e tyre në fenë tonë islame.
Kjo vizitë dhe të tjera si këto, përbëjnë një shembull frymëzues të bashkëjetesës ndërfetare, me të cilën karakterizohet Shkodra dhe që dëshmon më së miri mikpritjen e ngrohtë ndaj vizitorëve që shfaqin interes për njohjen e fesë islame në Shqipëri dhe trashëgimisë sonë kulturore.